Mikael Shumaher, një ditë taksist nga nevoja
Për Mikael Shumaher, shpejtësia është një gjë shumë normale, i mësuar gjatë të gjithë jetës me një ritëm të lartë në timonin e makinave të Formula 1. Por këtë radhë, ish-piloti gjerman, ka treguar aftësitë e tij edhe në timonin e një taksie. Duke dashur që të mos humbë avionin e tij, ai ka bindur një taksist t‘i lëshojë timonin, duke arritur që falë manovrave të tij të arrijë në kohë në aeroport. Lajmi është botuar në një nga gazetat bavareze dhe më pas është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Shumaher. Burimi i këtij lajmi ka qenë pikërisht taksisti Tunçer Jilmaz, pronari i autoveturës, i cili e ka treguar këtë ngjarje të çuditshme që i ka ndodhur. "Shumaher më kërkoi ta ngiste ai makinën, ndërsa ishte me gruan dhe fëmijët. Pranova dhe e pashë veten të ulur në sediljen pranë shoferit, ku gjendej vetë Shumaher, ishte e jashtëzakonshme", komentoi taksisti i entuziazmuar për atë që i kishte ndodhur. Ai ka treguar se Shumaher e kishte nisur makinën me shpejtësi të lartë, duke bërë shumë manovra në mes të trafikut për të mbërritur në kohë në aeroport. "Ka bërë disa parakalime të pabesueshme, ndërsa merrte kthesat lehtësisht me shpejtësi të lartë", ka treguar Jilmaz. Në fund të "garës", Shumaher normalisht që ka paguar taksistin e tij, duke i lënë edhe një bakshish prej 60 eurosh, ndonëse e kishte nisur vetë makinën në rrugët e qytetit. Ai kishte shkuar në Koburg me familjen e tij për të marrë një qen nga një fshat aty afër. Por ky udhëtim i veçantë ka bërë që tashmë kompanitë e ndryshme që ai përfaqëson të mendojnë për të bërë një spot publicitar, ku ai të jetë pikërisht në rolin e taksistit.