Barça, kthehet qetësia: Iniesta luan në finale me Mançesterin
Andres Iniesta do të rehabilitohet në kohë për të luajtur në finalen e Ligës së Kampioneve, ku Barcelona ndeshet me Mançester Junajtid në Romë. Testet më të fundit mjekësore konfirmuan se dëmtimi i mesfushorit spanjoll nuk është aq serioz sa u mendua në momentin e parë. 25-vjeçari u largua mes dhimbjeve nga fusha në barazimin 3-3 që katalanët arritën në shtëpi përballë Vijarealit dhe pas ekzaminimeve të para, mjekët e klubit deklaruan se ai mund të jetë në dyshim serioz për sfidën që do të luhet në fund të këtij muaji në kryeqytetin italian. Por, fatmirësisht, vizita e së hënës konfirmoi se Iniesta pësoi vetëm një "tërheqje të vogël muskulore" në këmbën e djathtë, problem prej të cilit do të rikuperohet në harkun e pak ditëve. "Është një lajm shumë i mirë", deklaroi lojtari për të përditshmen "Sport", në momentin e daljes nga klinika. Paniku për mungesën e tij në mbrëmjen finale të trofeut më të rëndësishëm evropian u përhap sepse dëmtimi ishte në të njëjtin vend si në nëntor 2008, kur fantazisti u detyrua të qëndronte dy muaj jashtë fushave të lojës. Iniesta do të mungojë në finalen e së mërkurës kundër Atletik Bilbaos në Kupën e Mbretit dhe trajneri Pep Guardiola do të tregohet i kujdesshëm me aktivizimin e "San Andres" në takimet e mbetura në La Liga. Barcelona, që është fare pranë titullit kampion në Spanjë, do të paraqitet në finalen e 27 majit në Champions me shumë probleme. Rafa Markez dhe Gabi Milito janë dëmtuar dhe i kanë dhënë lamtumirën sezonit, ndërkohë që me Mançesterin mungojnë edhe Erik Abidal e Dani Alvesh, pasi të dy mbrojtësit e krahut janë të pezulluar me kartonë. Mjaft dyshime ka edhe për sulmuesin francez, Tierri Henri, i cili është në garë me kohën për t‘u rikuperuar plotësisht.