Barrikelo: Nëse Braun favorizon Batonin, unë do tërhiqem nga gara
Nëse skuadra favorizon Batonin, unë do të tërhiqem". Rubens Barrikelo nuk është dakord dhe hedh bombën menjëherë pas arritjes së tij në vendin dytë në garën për Çmimin e Madh të Spanjës. Në Montmelo, piloti brazilian i BraunGP e ka mbyllur garën pas shpatullave të shokut të tij të skuadrës, Xhenson Baton. Por për anglezin është aplikuar një strategji e ndryshme nga ana e skuadrës që po dominon Botërorin 2009. Baton ka bërë vetëm dy "pit stop"-e në bokse, ndërsa Barrikelos i është dashur të ndalet tri herë sipas strategjisë së skuadrës. Anglezi ka arritur kështu suksesin e katërt sezonal, duke u konsoliduar në kryesim të klasifikimit të përgjithshëm të këtij sezoni në kuotën e 41 pikëve. Barrikelo e ndjek atë nga vendi i dytë, por i një distance të largët, pasi është në kuotën e 27 pikëve. "Nëse do të kisha edhe dyshimin më të vogël në lidhje me një trajtim më të favorshëm të Xhezonit nga skuadra, do ta dorëzoja kaskën e pilotit që nesër", thotë braziliani, i cili nuk dëshiron të dëgjojë për urdhra të skuadrës. "E di që Ros nuk do ta bënte kurrë", thotë ai, duke iu referuar sjelljes së bosit të skuadrës, Ros Braunit. "Më ka kërkuar të garoj për të dhe ai e di që unë dua të konkurroj në mënyrë të ndershme me Xhezonin. Nuk do të ndjek asnjë urdhër të skuadrës. Një gjë e tillë i përket të shkuarës: e them qartë dhe me zë të lartë". Por kur "dy gjela në një kotec" kanë ambicie për të arritur të njëjtin objektiv, menjëherë dalin në pah problemet. Brauni e di mirë, ai e kujton bashkëjetesën e vështirë të Shumaherit me shokët e tij të skuadrës, të cilin nuk e pranonin rolin e pilotit numër 2. Dyshimet për favorizimin e Batonit mbeten. "Jo, jo, këtu nuk ka urdhra skuadre, ka saktësuar Ros Braun. E keni parë në nisje: Rubens e ka kaluar Xhezonin dhe ka kryesuar garën. Pilotët janë të lirë të luftojnë me njëri-tjetrin. Gjërat kanë ndryshuar me zgjedhjet e strategjive gjatë "pit-stop"-eve. Do të më pëlqente shumë të shikoja Rubensin të fitonte një garë, të shihja teknikët e tij të festojnë. Do të ishte një gjë e bukur për të gjithë skuadrën...". Të gjithë i referohen garës së Austrisë në 2002, në kohët e Ferrarit, kur Barrikelo u detyrua të ulte shpejtësinë për t‘i dhënë fitoren Shumaherit, duke bërë kështu të shpërthejnë shumë polemika.