Everton, shumë pranë blerjes së Mustafit
Pas Berishës dhe Behramit, Shkondran Mustafi, duket se do të bëhet futbollisti i tretë shqiptar, që mund të militojë në futbollin anglez. I riu shqiptaro-maqedonas, i cili luan në skuadrën U-17 të Hamburgut, ka bërë një paraqitje shumë të mirë në këtë sezon. Por ai ka shkëlqyer gjithashtu edhe në ndeshjet e luajtura me kombëtaren e Gjermanisë U-17, ku numëron 11 ndeshje të luajtura dhe 3 gola të shënuar. Kjo paraqitje nuk ka kaluar pa u vënë re nga menaxherët ndërkombëtarë, të cilët e kanë vënë 17-vjeçarin në listën e tyre, si një objektiv për t‘u blerë në merkaton e kësaj vere. Është pikërisht Evertoni nga Premier League, klubi që kërkon t‘ia rrëmbejë Mustafin Hamburgut. Lajmi është konfirmuar edhe nga një klub gjerman, i cili ka theksuar se bëhet fjalë për një ofertë shumë interesante në drejtim të shqiptarit. Transferimi i tij drejt Anglisë është vetëm çështje kohe.