Kaka: Besoj te projekti i Milanit, por duhet rinuar dhe përforcuar
Disi i mërzitur për të tashmen, por me shumë shpresa për sezonin e ardhshëm. Fillon që me kualifikimin për në sezonin pasues të Champions League, që është edhe objektivi i vetëm i mbetur i Milanit. Ai që flet është Kaka. "Nuk kemi fituar asgjë, thotë ai në një intervistë për ‘Aujourd‘hui Sports‘, është e vështirë të flasësh për një sezon të mirë. Jemi kualifikuar për në Champions, dhe kjo më bën të ndihem i lumtur. Në harkun e pak muajve do të rikthehemi në kompeticionin më të madh për klube, i cili më ka munguar shumë: kam kaluar një vit në poltron, duke parë ndeshje nga tv. Më ishte bërë një vuajtje vërtet e madhe. Nuk e përballoja dot më"! Kaka rikthehet të flasë për të ardhmen e tij. Ai duket se do të vazhdojë të qëndrojë te Milani. Idetë e tij janë të qarta dhe duket se konfirmojnë vullnetin për të vazhduar karrierën te kuqezinjtë. "Të gjithë e dinë se kemi nevojë për rinimin e skuadrës dhe përforcimin e saj me kualitete, ka shtuar braziliani. Maldini do ta mbyllë karrierën e tij, Emerson nuk është më". Kaka shpreson se do të ketë një Milan me një "ekuilibrim miks të rinjsh dhe të vjetërish, si në 2003-shin". Ambiciet e tij për skuadrën të bëjnë të mendosh për një qëndrim në Itali dhe duket se zhdukin dyshimet e një largimi të tij të diskutueshëm drejt klubeve të mëdhenj si Real Madrid apo Mançester Junajtid. "Edhe Milani është një klub i madh dhe unë besoj në projektin e tij". Tashmë ka një përgjigje negative për interesimin e Mançester Sitit, i cili në janar kishte ofruar 100 milionë euro për blerjen e tij. "Kam menduar shumë për atë propozim. Kam jetuar një periudhë shumë të rëndësishme në jetën time, që më ka bërë të kuptoj se sa vlen Milani për mua. I bërë të gjitha llogaritë pro dhe kundër dhe bilanci ishte i gjithë në favor të Milanit".