E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet pas infarktit ne zemer mjeshtri Kastriot Sulce

Atletika shqiptare ka humbur një prej emrave më të njohur në histori, Kastriot Sulçen. Rekordmeni, është ndarë nga jeta në mëngjesin e të hënës së 13 shkurtit në moshën 52-vjeçare.
Shkak është bërë infarkti në zemër, ndërsa të martën në orën 14.00 në Korçë, do të bëhet edhe shoqërimi i kampionit në banesën e fundit. “Shuarja” e Sulçes ka ardhur si një lajm i papritur, edhe sepse të gjithë ata që e njihnin e kujtojnë me një fizik mjaft të fort dhe si një person që vazhdonte vrapimet dhe aktivitetet fizike.
"Mjeshtri i Sportit", Kastriot Sulçe, ka qenë vrapues i cilësisë së lartë në garat e shpejtësisë dhe rekordmen i padiskutueshëm në garat e 200/m me kohën 21sekonda e 6 të dhjetat dhe në 400/m, 48.2 sek.
Në prill të vitit 2010, Federata e Atletikës e ka nderuar kontributin e tij për sportin shqiptar, duke organizuar aktivitetin “Nderi i Figurave – Kastriot Sulçe”. Pas garave të fituara për të rinj, shpërthimi I tij erdhi në moshën 18-vjeçare me titullin kampion në 100 metra dhe 1000 metra në vitin 1977, dopieta e parë e një altleti për këto gara.
Karriera e yllit shqiptar të garave të shpejtësisë u ndërpre përkohësisht nga regjimi i atëhershëm, që e internoi, por Sulçe nuk u ndal dhe iu kthye pistës në vitin 1983, ku me vetëm 5 muaj stërvitje theu dy rekorde kombëtare në garën e 200 metrave me kohën 21.6 sekonda e në 400 metra me 48.2 sekonda.
Po në atë vit, ai u shpall kampion në garat e vjeshtës në 100/m, ndërsa në vitet 1984 dhe 1985 u shpall dy herë radhazi kampion kombëtar. Rekordet dhe trofetë e shumtë të fituar në karrierë, bëjnë që emri i “Mjeshtrit të Sportit”, Kastriot Sulçe të mbetet në piedestalin e “Mbretëreshës së Sporteve”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›