E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi rrezikon pjesemarrjen ne Ligen e Kampioneve per sezonin e ardhshem

Kur humbet 3 të katërtat e ndeshjeve të fundit, natyrisht që gjendja nuk mund të quhet e pranueshme. Kjo i ka ndodhur Interit gjatë janarit dhe kësaj pjese të shkurtit të 2012-ës, duke bërë që skuadra zikaltër të jetë tani 6 pikë prapa vendit të tretë në Serinë A, vagoni i fundit që të çon për tek Liga e Kampionëve. Me dy humbje në dy përballje ndaj Novarës, skuadra e Klaudio Ranierit ka habitur vetveten dhe parashikimet, ndërsa 9 humbje në 23 javë kampionat deri tani duken si të jenë një rekord. Pjesëmarrja në Champions është një kusht thuajse i detyrueshëm për një skuadër që të ruajë statusin mes të mëdhave dhe Interi ia ka dalë për 11 sezone radhazi. Hera e fundit, kur “Beneamata” u detyrua të zbriste në Kupën UEFA ishte në 2001, pasi zuri vendin e pestë. Presidenti Morati nuk po arrin të stabilizojë një skuadër ku ndoshta vetëm Milito mund të veçohet me 12 golat e shënuar, ndërsa në krahasim me vjet janë fituar 8 pikë më pak. Pas Murinjos, në stol erdhi Benitez, i larguar dhe zëvendësuar me Leonardon. Më pas, Gasperini e tani Ranieri. Ndoshta kaq shumë lëvizje në stol kanë bërë vetëm keq. Gjithësesi, detyra kryesore është të fitohet të premten ndaj Bolonjës, një ndeshje që për fat të mirë sërish luhet në “San Siro”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›