Barça përgatit sulmin kundër Cesk Fabregasit
Pas vështirësive të shfaqura në miqësoren e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Çivasit (1-1), drejtori sportiv i klubit të Barcelonës nuk përjashton mundësinë e përforcimeve të tjera në ditët e ardhshme. Tsiki Begiristain gjithsesi kërkon të bëjë blerje me peshë, ku emrat mbi të cilët do të fokusohet do të jenë Cesk Fabregas (Arsenal), Havier Maskerano (Liverpul) dhe Dimitro Çygrynski (Shahtjor Donetsk). Por për të synuar të paktën njërin nga emrat e përfolur, duhet të investosh shumë miliona euro, parà të cilat katalanasit janë gati të shpenzojnë. “Sigurisht që mundësitë për të bërë tonin Fabregasin ekzistojnë. Një marrëveshje e tillë nuk do të jetë aspak e lehtë për t’u nënshkruar, por gjithsesi, ne do të tentojmë të blejmë edhe një tjetër lojtar. Më shumë sesa paratë, ne kemi treguar që vlerësojmë cilësinë e lojtarit dhe padyshim që për futbollistë si Fabregas e Maskerano ia vlen një sforco ekonomike. Sezoni i ardhshëm do të jetë shumë i luftuar dhe sigurisht që do të jetë shumë herë më e vështirë të provosh të fitosh të tri titujt e sezonit të kaluar. Gjithsesi, ne do të tentojmë sërish të përsëritemi, por kundërshtarët tanë janë përforcuar dhe ne duam t’i shtojmë listës sonë të kampionëve edhe një tjetër yll të futbollit Evropian dhe më pas do të ishim më të sigurtë dhe më të qetë për fillimin e kampionatit. Padyshim që për blerjet tona, vendimi dhe vlerësimi kryesor i përket trajnerit Guardiola, i cili pasi të më saktësojë preferencën e tij, vetëm atëherë unë mund të nis bisedimet”, shprehet drejtori sportiv i Barçës, Begiristain.