Ironia e Maradonës: Më kollaj flas me Obamën se me Mesin
Në sytë e të gjithëve, Diego Maradona është futbollisti më i madh i të gjitha kohëve. Pas fitimit të një popullariteti të madh në mbarë botën dhe komenteve për vdekje, të disa viteve më parë, legjendari 48-vjeçar është duke shijuar jetën përsëri në krye të Argjentinës së tij të shtrenjtë. Tani, që është bërë edhe një gjysh i devotshëm, Maradona flet me sinqeritetin e tij karakteristik për betejat e tij kundër mjerimit si dhe stërvitjen e të “kaltërve”, Lionel Mesin, Fidel Kastron dhe shumë gjëra të tjera. Pjesa e dytë e kësaj interviste, legjendari me numrin 10, jep pikëpamjen e tij mbi Pelen, Brazilin dhe duelet e tij kundër “Seleçao”-s, të cilat do të publikohen të shkurtuara.
Diego, keni afro 9 muaj që drejtonin Argjentinën, ju duket vetja sikur jeni bërë i vjetër tashmë në këtë profesion?
Pak. Nëse do të mblidhja kohën totale që kam shpenzuar me futbollistët e mi, mund të them se me ta kam punuar vetëm një muaj e gjysmë. Është një kënaqësi e madhe të bëj këtë punë, edhe pse tani kam filluar të mendoj për gjërat që 25 njerëz duhet të bëjnë brenda dhe jashtë fushës.
Është më e vështirë nga sa e prisnit?
Më vështirë për arsyen që sapo e përmenda. Je gjithmonë në telefon, duke u interesuar sesi janë futbollistët e tu. Çdo ditë takohem me stafin teknik për të marrë vesh se ç‘ndodh me Mesin, Agueron, Rodriguezin dhe të gjithë ata që stërvit. Kjo më intereson shumë, sepse përballë kemi ndeshjen me Brazilin, që ka një rëndësi të veçantë për kualifikimin në botëror.
Sa intervista keni dhënë që nga koha kur u zgjodhët si trajner?
Shumë. Por përpiqem që të mos shkoj tek të gjitha programet. Një trajner duhet të dijë kur duhet të shfaqet. Vetëm se jam Maradona dhe trajner i kombëtares, nuk do të thotë që duhet të jem kudo dhe t’u bëj qejfin kujtdo.
Është e vërtetë që zgjoheni natën me mendime, të cilat më pas i shkruani?
Po, ashtu është. Goditjet e dënimit, të këndit, etj... Për shembull, dua që skuadra të bëjë më tepër pasime në sulm, të ngushtojë hapësirën me mbrojtjen, mesfushën dhe sulmin. Dhe kur humbasim topin, na duhet të jemi pranë lojtarë kundërshtarë për të neutralizuar aksionet e tyre. Nuk ka asgjë që duhet të bëjë më shumë Argjentina dhe për këtë arsye jemi shumë mirë në kontrollin e topit. Mbase Brazili po bën këtë gjë kohët e fundit, por Italia dhe Gjermania ende janë larg.
Çfarë kini parë kohët e fundit? Ju ka suprimuar ndokush?
Askush. Skuadrat janë në të njëjtin nivel që kanë qenë. Milan ndodhet në një gjendje të vështirë, Interi ka ruajtur kolektivitetin, Madrid pritet të ndryshojë shumë me Kakanë. Ai do t’u japë atyre një dimension tjetër, ndonëse nuk e kuptoj pse Gago nuk ka luajtur tek ta. Ata duhet ta aktivizojnë, pasi jo më kot është edhe zgjedhja ime e parë në kombëtare. Përsa i përket djemve tanë, Milito më duket në formë të mirë, sikurse “El Kun”.
Po Mesi?
Nuk e kam parë kohët e fundit. Jam përpjekur të flas në telefon me të, por është më e thjeshtë të kontaktosh me Obamën sesa me Mesin (qesh). Kam dëgjuar se po kalon një formë para-sezonale të mirë dhe është në formë të mirë.
Ka ndonjë lojtar që ju ka befasuar së fundmi?
Felipe Melo ka qenë një gjetje e madhe për Brazilin dhe Hulk i Portos, po ashtu. Kurse Ronaldinjo më ka lënë pa mend. Më duket në gjendje optimale përsëri, por ka humbur forcën shpërthyese që kishte dikur.
Të flasim për Maradonën, si njeri. Çfarë është gjëja më e keqe që ju ka ndodhur?
Kur isha në fund të detit dhe vajza ime më ngriti lart. Tani ngjitem çdo ditë e më lart dhe kjo është një arritje, kur e mendon se më ndodhte që rrija për 3 ditë në gjendje gjumi.
Dhe më e mira?
Më e mira është reagimi ndaj humnerës ku ndodhesha. Kalimi nga mjerimi në rilindjen si person. Nuk po them se dua të luftoj mjerimin, por kur përballem me një situatë të tillë, bëj të pamundurën për të gjetur paqen që kam tani.
Keni ndonjë fiksim për Kupën e Botës?
Kupa e Botës, nuk do të jetë e njëjtë pa Argjentinën. Do të ishte pa ngjyra.
Dukeni shumë i sigurt për kualifikimin.
Jam absolutisht i sigurt. Nëse nuk do të isha, nuk do të flisja me ju tani.
E mbani mend herën e parë kur e patë këtë trofe?
Sigurisht. E pashë në disa foto. Kur e mundëm Gjermaninë pata rastin ta prek dhe ta puth. Pritëm gjithë ato ditë në kampion stërvitor, dhe më pas vumë dorë mbi të.
Sipas shokëve tuaj më 1986 nuk donit të lëshonit trofeun nga duart...
Është e vërtetë. Nuk i lejova lojtarët të dalin me atë. Nuk mund të bënim xhiro nderi me trofe në duar në “Azteca”. Provuam disa herë, por nuk mundëm.
Do ta ngrini në 2010 përsëri atë trofe?
Unë jo. Maskerano do të ketë këtë nder. Dhe ai nuk do ta lëshojë nga duart. Mbani mend mirë këtë që po ju them. Edhe ai do bëjë të njëjtën gjë.