Barça vazhdon me rekorde

Barcelona po vazhdon me rekorde. Klubi katalunas të martën mbrëma e ka regjistruar një rekord tjetër fantastik në Camp Nou. Klubi katalunas e mposhti Rayo Vallecanon me rezultat bindës 4:0, falë dy golave të Alexis Sanchezit dhe të David Villas e Lionel Messit.
Ky ‘poker’ e ngriti në 34 numrin e golave të shënuar nga kampioni evropian dhe spanjoll në shtëpi këtë sezon. Ndërsa kurioziteti ka të bëjë me faktin se katalunasit nuk e kanë pranuar asnjë gol këtë sezon në stadiumin e tyre Camp Nou, një arritje e jashtëzakonshme kjo.
Për këtë arritje, kontribut kanë të gjithë futbollistët e Barçës, prej tyre edhe Andres Iniesta. “Janë numra mjaft domethënës. Jemi në formë mjaft të mirë kur luajmë në stadiumin tonë”, deklaroi mesfushori spanjoll për televizionin e klubit.
Barcelona ka regjistruar katër barazime dhe një humbje këtë sezon në ndeshjet si mysafire, të cilat i kushtuan me ngecje prapa Real Madridit, që u tregua pothuajse perfekt jashtë Santiago Bernabeut dhe ka 6 pikë më shumë.
Përfaqësuesi spanjoll e pranon se ekipi i Pep Guardiolës has në vështirësi më të mëdha kur luan jashtë fushës së vet. “Sido që të jetë, është paksa më e vështirë kur luajmë jashtë. Mirëpo, ne po punojmë që ta përmirësojmë këtë situatë”, vazhdoi ai.
Barça do të mundohet t’i përmirësojë statistikat si mysafire, kur të përballet me Real Madridin në Santiago Bernabeu më 10 dhjetor në ‘El Clasico’. “Ne do të luajmë kundër Realit shumë shpejt. Kjo ndodh çdo vit dhe nëse luan për Barcelonën, duhet që gjithmonë të luftosh për t’i fituar të gjithë titujt”, përfundoi Iniesta.
Barcelona luajti të martën, pasi që do të ketë angazhime në Botërorin e Klubeve kah mesi i dhjetorit, pas përballjes me madrilenët. Skuadra katalunase synon të nxjerrë rezultat pozitiv së pari në Madrid, për ta ngushtuar shkëputjen prej 6 pikëve të rivalit të përbetuar, për të ngadhënjyer më pas edhe në Japoni, ku edhe mbahet Botërori.