E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes futbollisti nigerian Ameh

Tragjeditë në botën e futbollit nuk kanë të sosur. Rasti më i freskët është ai i futbollistit nigerian Aruwa Ameh, i cili ka ndërruar jetë në spitalin e Kadunas, pasi vuante nga paraliza.

Klubi nga Premierliga nigeriane, Bayelsa United ka njoftuar për vdekjen e 20 vjeçarit. Ai ishte duke stërvitur me shokët e skuadrës, teksa ndjeu një dhimbje në krah dhe u transportua në spital në veriperëndim të vendit.

Mirëpo, ai nuk ia doli mbanë dhe ndërroi jetë në spital. Zëdhënësi i ekipit, George Ameli i ka thënë agjencisë Associated Press se arsyeja e vdekjes së lojtarit momentalisht nuk dihet.

Drejtuesit e klubit nigerian kanë mbetur të shokuar me rastin. “Jemi të shokuar. Kam kërkuar nga familja e tij që të na japë informata të detajuara për të, ndërsa ne do të mundohemi të jemi të involvuar në këtë rast. Bisedova me të javën e kaluar për t’i treguar se po punonim fort që të siguronim mjete për t’ua paguar borxhin lojtarëve. Por, ky rast na ka tronditur”, deklaroi presidenti i klubit, Victor Baribote, për ueb faqen KickOffNigeria.com.

Ameh ishte golashënuesi më i mirë i ligës në vitin 2007, kur po luante për ekipin Kaduna United. Por, ai u transferua te Bayelsa United në vitin 2008, për t’i fituar dy tituj të kampionit me këtë ekip.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›