Vllaznia, ekipi më i mirë shqiptar në botë
Vllaznia, kryesuesja e Kategorisë Superiore në kampionatin shqiptar, është skuadra e vetme nga vendi ynë, që renditet midis 350 ekipeve më të mira të botës, të listuara në periudhën kohore midis 1 dhjetorit 2007 e deri më 30 nëntor 2008. Fituesja e Kupës së Shqipërisë, sipas Institutit të Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS), renditet në vendin e 267-të me 73 pikë, po aq sa skuadra siriane Al-Ittihad Aleppo dhe ajo suedeze Elfsborg. Vllaznia bëri një paraqitje të mirë në Kupën UEFA, teksa eliminoi në turin e parë eliminator sllovenët e Koperit (fitoi 2-1 në Slloveni, barazoi 0-0 në “Loro Boriçi”). Në turin e dytë eliminator skuadra shkodrane u shkërmoq nga Napoli, që fitoi 3-0 në Shkodër dhe 5-0 në “Sao Paolo” të Napolit. Gjithsesi, prezantimi i klubit më të vjetër shqiptar në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm europian ishte në përgjithësi i pëlqyeshëm. Skuadra më e famshme shqiptare, edhe sot e kësaj dite mbetet Flamurtari i Vlorës, që ka mbërritur deri në turin e tretë të një kompeticioni europian.
Ekipet e shqiptarëve
Marseja e kapitenit Lorik Cana është ekipi i parë që shfaqet në listën e 350 ekipeve më të mira. Skuadra franceze ndodhet në vendin e 28-të, me 172 pikë. Anorthosis Famagusta i portierit Arjan Beqaj ndodhet në vendin e 90-të, me 126 pikë. Lacio e drejtorit Sportiv shqiptar Igli Tare ndodhet në vendin e 120-të, me 108 pikë. Arisi i Selanikut i Kristi Vangjelit në vendin e 140-të, me 99 pikë. Vorskla Poltava e Debatik Currit dhe Armend Dallkut ndodhet në vendin e 284-t, me 71.5 pikë. Omonia e Klodian Duros renditet e 310-a, me 67 pikë. Hanoveri i Altin Lalës ndodhet në vendin e 315-të, me 66 pikë. Apoel i Altin Haxhit ndodhet në vendin e 337-të, me 63 pikë.
Teuta–Shkumbini, sfida për vendin e tretë
Teuta-Shkumbini pritet të jetë një nga duelet më të nxehta të javës së 14-të të Kategorisë Superiore, duke sfiduar në distancë edhe derbin tradicional të kryeqytetit, Partizani-Tirana. Të shtunën e kaluar, Teuta regjistroi fitoren më të bujshme sezonale kur mposhti Tiranën (1-2) në kryeqytet, falë dy kryeveprave të Emiljano Vilës. Teuta nuk e zhvilloi ndeshjen e Kupës kundër Vllaznisë (fusha e stadiumit “Niko Dovana” ishte përmbytur nga shirat) dhe ndihet më e freskët fizikisht ndaj një Shkumbini, që shpenzoi energji në barazimin 0-0 me Apoloninë në Fier.
Trajneri i Teutës, Sulejman Starova, beson në vazhdimësinë e lojërave të mira, por mendimi i parë i tij është marrja e pikëve maksimale ndaj një kundërshtari me të cilin ndan vendet 3-4, me pikë të barabarta nga 20. Starova vlerëson ekipin kundërshtar e mbi të gjitha dinamizmin e kolegut Gugash Magani, por dhe mbështetjen financiare të presidentit të peqinasve, Xhavit Ismaili: “Shkumbini është një skuadër me grintë, karakter dhe dëshirë për të fituar. Ka disa lojtarë cilësorë. Jemi duke studiuar në detaje çdo element të kundërshtarit”. Shkumbini ka dy ndeshje pa fituar e shënuar në kampionat ndaj Flamurtarit e Dinamos. Problemet me gjendjen e lojtareve e kanë kapur dhe Shkumbinin. Sulmuesi kryesor Rizvanolli ka probleme me kaviljen, por në dyshim janë dhe mbrojtësi Grami e mesfushori sulmues Arlind Nora.
Partizani: “Kundër Tiranës si të barabartë”
Fitorja në Kupë ndaj modesteve të Burrelit, falë golit të talentit të ri të shkollës së kuqe, Arbër Capo, ka sjellë një atmosfere pozitive te Partizani, vetëm tri ditë nga përballja tradicionale me Tiranën. Vetë autori i golit do të mungojë kundër bardhebluve (ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë, por freskia e Bakajt (shënoi në Shkodër kundër Vllaznisë), Babamustës e Karapicit (të tre këta nuk luajtën në ndeshjen e Kupës) mund të jetë një armë fizike më shumë kundër 23-herë kampionëve.
Partizani renditet i fundit pas 13 javëve, por mund të shfrytëzojë formën jo të mirë që po kalon Tirana në javët e fundit. Në fazën e parë bardheblutë fituan 2-1 me një gol në minutën e fundit të shënuar nga Andi Lila, teksa të kuqtë luajtën pjesën e dytë me dhjetë lojtarë. Për Partizanin golin e vetëm e realizoi braziliani Bruno, i cili nuk është më pjesë e skuadrës.
Humbja me Vllazninë me rezultat të ngushtë një javë më parë (2-1) tregoi se formacioni i Shpëtim Duros ka forca për të përballuar skuadrat më të mira të kampionatit dhe nuk e meriton vendin ku ndodhet ne tabelë.
5 Dhjetor 2008