E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1 i prezantoi botes mrekulline Sebastian Fetel

 Ai është kampioni më i ri i botës në historinë e Formula 1. Ai është kampioni i dyfishtë më i ri i botës në historinë e Formula 1. Ai është fituesi më i ri i një Çmimi të Madh në historinë e Formula 1, ai është më i riu pilot në historinë e Formula 1 që fitoi vendin e parë në prova, pole position, ai është më i riu që u ngjit ndonjëherë në podium dhe më i riu në histori që fitoi një pikë.

Nga mosha 19 vjeç e 349 ditë deri në burrërinë e parakohshme 24 vjeç e 98 ditë, Sebastian Fetel, mund të thotë se ka shijuar thuajse gjithçka nga sporti më i shpejtë në botë, se i ka thithur fort të gjitha emocionet dhe se ndoshta mund ta flakë tej këtë aventurë, siç ndodh që flaket tej padrejtësisht edhe një aventurë e jashtëzakonshme njerëzore.

Sebastian Fetel janë germat e vitit 2011, të shpërndara fitimtare në çdo Çmim të Madh, me një krizë të vetme korriku, në Angli, Gjermani e Hungari ku nuk fitoi dot as provat dhe as garat.

Që në prag ai ishte favorit, ndërsa motorët ishin ndezur për garën e 18 marsit në Australinë e largme. Nuk zhgënjeu dhe fitoi provat e garën.

Në Malajzi, po në mars, kaloi si uragan duke fituar gjithçka.

Në Kinë, fitoi provat, por u dorëzua në garë ndaj Hamiltonit.

Në Turqi, u rikthye madhështor, duke triumfuar 100 për qind.

Në Spanjë, fitoi garën pasi Ueber mori pole position-in.

Në klasiken e Montekarlos nuk i shpëtoi nga dora asgjë.

Në Kanada, u përkul para fituesit Baton dhe pse fitoi provat

Në Valencia, Çmimi i Madh i Europës, sërish nuk pati rival.

Në Silverstounin e madhërishëm anglez nuk doli mirë, i thyer nga Alonso.

Po ashtu, në Gjermaninë e tij, u mposht nga Hamilton.

Hungaria plotësoi qarkun e krizës me fitoren e Batonit me Meklaren.

Por, në Belgjikë nuk pati diskutime.

Po ashtu si në Itali ku “përpiu” gjithçka

dhe në Singapor ku sërish triumfoi mbi të gjithë dhe kudo.

Vula u vu në Japoni, këtë të diel, ku fitoi kurorën edhe pse doli i treti. Nuk harroi, veçse, të fitonte pole position-in.

Mbeten edhe 4 gara në kalendar, duke nisur me Korenë e Jugut të dielën, më 16 tetor dhe Fetel ka deri tani 9 fitore në gara dhe 12 fitore në prova.

Në sy ka dy rekorde; barazimin e fitoreve të Mikael Shumakerit në një sezon të vetëm në 2004, që janë 13 dhe thyerjen e fitoreve në pole position të Mansellit në 1992 që janë 14.

Me dy tituj botëror është barazuar me të shkëlqyerit Askari, Klark, Graham Hill, Emerson Fitipaldi, Hakinen dhe Alonso. Para tij janë Sena, Pike, Lauda, Stjuart dhe Brabham me nga 3 tituj, Alen Prost me 4, Fanxho me 5 dhe legjenda e gjallë Mikael Shumaker me 7.
Me moshën që ka, këtij biri të ri të Gjermanisë i lejohet të ëndërrojë për gjithçka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›