E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona ne Brazil

Kur je personalitet publik nuk mund të sillesh dokudo. Je gjatë gjithë kohës nën vëzhgim dhe prej teje pritet të jesh vetëm shembull pozitiv. Këtë e di mirë Barcelona, klubi me emrin më të madh në botën e futbollit dhe të sportit sot për sot.
Në emër të futbollit, të vlerave, të reklamës së UNICEF-it dhe të biznesit, klubi katalanas ka hapur një akademi të re, ndërtuar në lagjen më të varfër të qytetit më të madh të Brazilit, Rio de Zhaneiro.
Kompleksi sportiv i Alemaos është ndërtuar në zemër të barakave të mjera, simbol i kontrastit të thellë në shoqërinë braziliane dhe provë e pashlyeshme e faktit se ende nuk jemi ata që duhet të jemi. Jo më kot në deklaratën për të drejtat e njeriut të bërë mbi 200 vjet më parë, një pikë thoshte se “shoqëri e mirë është ajo shoqëri në të cilën çdo individ jeton me dinjitet”.
E kemi të qartë se këtë nuk e kemi arritur, ndërsa klubi i madh katalanas është për t’i hequr kapelen për nismën e ndërmarrë. Jo vetëm kaq. Drejtuesit e Barcelonës e dinë mirë se futbolli është sport i të varfërve, i masave, ndaj nuk ka vend më të mirë për të hedhur grepin sesa në këto baraka të Rios.
“Ky projekt synon të shfrytëzojë fuqinë e futbollit, të Barcelonës në mënyë që të fëmijët të mësohen për të kërkuar jo vetëm lumturinë dhe suksesin në sport, por në radhë të parë si njerëz, për t’u bërë më të mirë”, - thotë Zhozep Kortada, drejtor i Fondacionit të Barcelonës.
Ndërsa një fëmijë i Rios, i quajtur Hugo Pereira thotë se “unë sot kam më shumë miq e shokë, kam më shumë respekt për familjen time, sporti po më ndihmon që të përmirësoj edhe notat në shkollë”.
Nga akademia e Barcelonës në Rio do të përfitojnë të paktën 400 fëmijë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›