Pritet finalja e femrave

Në finalen e këtij viti në Uimbëlldon, tek femrat, do të jetë një emër i madh dhe një sfidante e re. Serena Uilliams, amerikania e shkëlqyer, do të synojë titullin e saj të pestë individual në barin e Londrës, ndërsa përballë saj do të jetë tenistja polake, Anjezka Radvanska, e papritura e këtij turneu. Serena nuk ka asnjë nënvleftësim dhe pse theu rivalen më të madhe, bjellorusen, Viktoria Azarenka në gjysmëfinale.
“Bëhet fjalë për finalen e Uimbëlldonit. Nuk njoh mënyrë tjetër për të luajtur përveçse duke dhënë maksimumin. Radvanska ka luajtur shumë mirë, fitoi në Majemi dhe ka pasur më shumë qëndrueshmëri sesa unë këtë vit. Duhet të jem gati për një betejë të fortë dhe nëse nuk do të jem në maksimum, nuk do të arrij të fitoj”, u shpreh Uilliams.
Radvanska ia pati shumë frikën gjysmëfinales ndaj gjermanes Anzhelikë Kerber.
“Për fat u ndjeva mirë në gjysmëfinale. Pata një çerekfinale të fortë, ndaj është e vështirë kur ke vetëm një ditë pushim dhe duhet të luash në maksimum. Por ia dola me sukses”, Radvanska.
Serena lufton për titullin e pestë individual në Uimbëlldon, ndërsa Radvanska synon të bëhet e para polake që fiton një titull në Londër, ndërsa është e dyta që doli në finale.