Prezantohet Zhordi Alba
Kanë kaluar 7 vjet, por ja ku vjen koha që ai të kthehet në shtëpi. Zhordi Alba është prezantuar në klub dhe ka firmosur kontratën me Barcelonën, pasi katalanasit e morën për 14 milionë euro nga Valencia.
Mbrojtësi i shkëlqyer i krahut të majtë u paraqit mrekullisht në Euro 2012, duke fituar titullin kampion të Europës dhe duke qenë zbulimi i turneut. Tani ai del para mediave dhe tifozëve, në krah të presidentit Sandro Rosel, zv. presidentit Zhozep Maria Bartomeu dhe drejtorit sportiv, Andoni Zubizarreta.
Nuk ka nevojë për shumë fjalë, ndërsa hidhet firma dhe tifozët brohorasin, ndërsa gjithçka kurorëzohet me një takim familjar.
“Kam shumë kujtime nga e kaluara në këtë vend. Jam shumë i prekur, por mbi të gjitha jam i lumtur që po kthehem në shtëpi, tek familja ime. Para një Europian shumë të mirë, si lojtar dhe si skuadër. Kam ardhur tek Barça, por nuk ndjej presion, thjesht është fat të luash në ekipin më të mirë në botë. Shpresoj të mos i zhgënjej njerëzit, ta fitoj këtë sfidë”, u shpreh Alba.
Alba do të jetë në “Kamp Nou” në krah të më të madhit lojtar të botës.
“Leo është këtu. Ai bën diferencën në të gjithë botën. Ai është lojtari më i mirë që ekziston, ai që ka formën më të mirë. Ai ka pas vetes një skuadër që e ndihmon shumë. Shumëkush mendon se Barcelona është ekipi që luan futbollin më të mirë”, tha ai.
Le të shkrepen edhe disa herë aparatet fotografikë dhe të filmojnë kamerat. Menjëherë pas tyre, për Albën nis sfida më e madhe në karrierë.