E Diel, 1 Nëntor 2026

Batuta e Xhanit: Shumë shpejt, lojtarë të Dinamos e Tiranës mund t‘i bashkohen Partizanit

Partizani ka filluar zyrtarisht grumbullimin për sezonin e ri, ndërsa presidenti Albert Xhani nuk humbi kohë të lëshojë (si zakonisht) deklarata bombastike. Ai ka premtuar se në ditët në vazhdim, lojtarët që ishin pjesë e kontingjentit në edicionin e kaluar, por edhe elementë nga Dinamo e Tirana do t‘u bashkohen të kuqve. Në ambientet e klubit kryeqytetas, dje janë paraqitur mjaft fytyra të reja, por me shumë eksperiencë në kampionatin shqiptar, si Skerdi Bejzade, Ardit Beqiri, Klodian Asllani, Klevis Dalipi, Sokol Ishka e Arian Sheta. Në vazhdim priten edhe edhe Arlind Nora dhe Julian Ahmataj, me këtë të fundit që ka munguar, sepse ka çarë kokën në një ndeshje mini-futbolli. "Siç premtuam, skuadra ka filluar stërvitjen dhe me lojtarët që u paraqitën kemi arritur një marrëveshje parimore. Momentalisht ata vetëm sa kanë filluar stërvitjen, ndërsa në ditët në vazhdim do të negociojmë për kontratat personale", deklaroi Xhani. "Do të likuidojmë kontratat e lojtarëve që luajtën gjatë sezonit të kaluar, ndërsa për sezonin e ri do të japim 40 për qind të pagesave". Fjalët e drejtuesit të "demave" tregojnë qartë se problemet financiare ende nuk janë zgjidhur. Kjo duket arsyeja përse Babamusta, Gjyla, Tafaj, Gjondeda, Bega e Mallota nuk u paraqitën. Rreth kësaj çështjeje, Xhani shtoi: "Mendoj se këta futbollistë nuk janë ndërgjegjësuar dhe ende nuk kanë besim. Por, mendoj se në ditët në vazhdim ata dhe të tjerë që luajnë me ekipe si Tirana apo Dinamo, do t‘i bashkohen Partizanit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›