E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakult spiunoi Vllazninë dhe evidentoi dobësitë e kuqebluve

Barazimi 1-1 në "Loro Boriçi" me irlandezët e Sligo Rovers i ka dhënë të drejtën Vllaznisë që të kualifikohet në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës. Kundërshtari i radhës për skuadrën e drejtuar nga Hasan Lika është Rapidi i Vjenës: ndeshja e parë do të luhet në Austri më 16 korrik, ndërsa takimi i kthimit në Shkodër zhvillohet një javë më pas, më 23 korrik. Trajneri i ekipit të njohur të Bundesligës austriake, Peter Pakult, ndodhej në stadium për të vëzhguar nga afër paraqitjen e kuqebluve dhe pas largimit është shfaqur mjaft optimist. Duke folur për sfidën e javës tjetër, në stadiumin "Gerhard Hanapi", ai deklaroi: "Kemi shanse të mira të kualifikohemi. Skuadra është në formë të mirë sportive dhe me një rezultat të mirë që prej takimit të parë, mendoj se nuk do të kemi problem të vazhdojmë aventurën në Europë".

Pakult, që vetëm dy muaj më parë ishte mes tri kandidatëve finalë të përzgjedhur nga FSHF për stolin e Kombëtares kuqezi (gara u fitua nga kroati Josip Kuzhe), ka analizuar me detaje lojën e Vllaznisë. Ai nënvijëzoi se spikati pikat e dobëta të skuadrës shqiptare, por ka paralajmëruar se shkodranët janë një kundërshtar që nuk duhen nënvlerësuar. "Të enjten e ardhshme na pret një ndeshje e vështirë. Në minutat e para duhet të jemi të qartë në lojën tonë dhe të mos ndihemi nën presion. Duhet të tregohemi të duruar deri sa të gjejmë golin e avantazhit", tha 49-vjeçari pas largimit nga Shqipëria. "Vllaznia është një skuadër mjaft kompakte në mbrojtje, por ata kanë edhe pika të dobëta në këtë repart. Për më tepër, kundërshtarët nuk praktikojnë lojën me sulme frontale, ashtu si ne". Të besuarit e Likës u kualifikuan me rezultatin e përgjithshëm 3:2, ku vendimtare rezultoi fitorja 2:1 në fushën e Sligos. Gjithsesi, Pakult mendon se kundërshtarët e Vllaznisë luajtën më mirë, madje shprehet i çuditur edhe për rezultatin e takimit të parë. "Irlandezët ishin skuadra që u paraqit më mirë në atë takim, por ata qëndruan shumë të mbyllur në mbrojtje, duke mos rrezikuar. Në një analizë të plotë të 90-minutëshit, mund të them se shqiptarët nuk bënë diferencën, por ata krijuan rastet më të mira për shënim. Mendoj se kundërshtari ynë mund të kishte qenë Sligo". Tekniku zbuloi edhe përshtypjet për impiantin "Loro Boriçi": "Stadiumi dhe fusha nuk janë të këqija, aty mund të luhet futboll pa problem".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›