E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie pista Palermo, e ardhmja e Filipit te Kievo ose Torino

Emri i Brian Filipit vazhdon të përflitet përtej Adriatikut. Në këtë merkato transferimesh, duket e sigurt se mesfushori shqiptar do të bëjë hopin cilësor. Gjatë sezonit të kaluar, 19-vjeçari ka qenë një prej lojtarëve më të spikatur të Ravenës në Ligën Pro (Kategoria e Tretë Italiane) dhe për të filluan të interesoheshin mjaft skuadra. Palermo, klubi që zotëronte përgjysmë kartonin e mesfushorit kuqezi, vendosi të mos e shfrytëzonte opsionin për ta blerë përfundimisht Filipin, duke u hapur rrugën ekipeve të tjera nga Seria A dhe B. Kjo u konfirmua nga drejtori sportiv i klubit romanjol, Xhorxho Bufone. "Mund të konfirmoj se Palermo nuk e shfrytëzoi të drejtën që kishte për blerjen e plotë të Filipit", bëri të ditur zyrtari i Ravenës. "Kjo është arsyeja përse deklaroj me siguri se nuk ka më gjasa që Brian të bëhet pjesë e klubit sicilian, ashtu sikurse u mendua disa ditë më parë". Loja e kënaqshme dhe kualiteti i paraqitur nga mesfushori i përfaqësueses Shpresa kanë bërë që kandidatët të mos mungojnë. "Cilat skuadra interesohen për shqiptarin? Më kanë kontaktuar drejtuesit e Kievos dhe ata të Torinos. Në ditët në vazhdim do të shohim se çfarë mund të ndodhë. Gjithsesi, do të diskutojmë edhe një herë me Sabatinin në fund të merkatos", tha Bufone.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›