Erjon Bogdani, Bari vazhdon interesimin
Edhe pse Kievo për momentin nuk duket se ka ndërmend ta shesë Erjon Bogdanin, në drejtim të tij nuk mungojnë ofertat. Pas interesimit të Kuin Park Rejnxhër (QPR) nga kategoria e dytë angleze, në skenë doli edhe skuadra e Barit, e cila e ka vënë në listën e saj blerjen e sulmuesit të Kombëtares shqiptare. Sipas shtypit italian, barezët, të cilët në sezonin e fundit mundën të siguronin ngjitjen në Serinë A, e kanë rikonfirmuar sërish dje interesimin e tyre për Bogdanin. Drejtuesit e klubit po e vlerësojnë situatën e shtatlartit shqiptar, që konsiderohet një alternativë e kënaqshme për sulmin e tyre. Megjithatë, shanset që ai të largohet nga skuadra e Kievos janë të pakta. Kontrata e tij me klubin veronez është e vlefshme deri më 30 qershor të 2010-ës, ndërkohë që sipas faqes së njohur gjermane, të specializuar në transferimin e lojtarëve, vlera e tij në treg është 1.6 milionë euro. Një pengesë jo e vogël në një tratativë të mundshme mes Barit dhe Kievos do të ishte edhe rroga e majme e sulmuesit shqiptar prej rreth 800 mijë eurosh në sezon.