E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona, superofertë për Runin

Barcelona duket se dëshiron ta bëjë Uejn Runin, sulmuesin e Mançester Junajtid, futbollistin më të shtrenjtë në botë. Kampionia e Spanjës dhe e Europës ka përgatitur një ofertë të pabesueshme prej 85 milionë sterlinash, e cila do t‘u ofrohet "Djajve të Kuq" anglezë për të marrë sulmuesin.

Klubi i "Kamp Nou"-t e ka identifikuar 24-vjeçarin anglez si yllin e botërorit të ardhshëm, që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut këtë verë dhe tashmë ka planifikuar një lëvizje të shpejtë për blerjen e futbollistit, i cili vetëm pak javë më parë mori një ftesë nga ish-shoku i tij i skuadrës, Kristiano Ronaldo, që t‘i bashkohej Realit të Madridit. Tani gjithçka duket sikur ka marrë formën e një sfide mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll, Barcelonës dhe Realit, për Runin. Drejtuesit e lartë katalanas besojnë, sepse borxhet e shumta e kanë vënë nën një presion në rritje Mançester Junajtid dhe kjo mund të ndikojnë në marrjen në shqyrtim të të gjitha ofertave për lojtarët e tyre më të mirë. Klubi i njohur anglez, edhe pse shiti Kristiano Ronaldon një vit më parë te Reali për një shifër prej 80 milionë eurosh (baras me 93.4 milionë euro), nuk mundi të rregullonte bilancet financiare, të cilat vazhdojnë të jenë një kaos i vërtetë. Por si në rastin e Ronaldos, vendimi i vetë Runit do të jetë çelësi i suksesit të përpjekjeve për një marrëveshje mes palëve. Vetë protagonisti nuk ka shprehur kurrë asnjë dëshirë për t‘u transferuar jashtë Anglisë dhe me bashkëshorten e tij Kolin së fundmi kanë sjellë në jetë edhe fëmijën e tyre të parë. Por, oferta e Barcelonës duket se do ta vërë atë në dilemë të madhe për zgjedhjen që do të duhet të bëjë. Mançesteri nuk kishte zgjidhje tjetër në dorë, prandaj vendosi t‘i dorëzohet dëshirës së Kristiano Ronaldos që ta lërë të ikë drejt "Bernabeut", por Sër Aleks Ferguson vazhdon të shpresojë se Runi është më pak i prirur për t‘u larguar nga Premier League. Sulmuesi i Anglisë shihet tani si një nga lojtarët kryesorë të skuadrës së Junajtid dhe Ferguson do të luftojë shumë fort për ta mbajtur Runin të mos bëjë të njëjtin veprim si Ronaldo. Runi ka bërë të ditur gjatë javës së fundit, se ai dëshiron të qëndrojë përjetë në "Old Trafford". Megjithatë, perspektiva për t‘u bashkuar me yjet si Lionel Mesi, Ksavi dhe Iniesta, të cilat drejtohen nga trajneri i njohur Pepe Guardiola, është e sigurt që do të jetë joshëse.

Gjatë kësaj kohe, tekniku Guardiola ka marrë një lajm të keq. Fitorja e së shtunës kundër Majorkas (4-2) ka sjellë edhe dëmtimin e Zlatan Ibrahimoviç). Suedezi vuan nga një tërheqje muskulore në kofshën e majtë. Do të mungojë për të paktën një javë. Por, megjithatë, pritet rikthimi i tij të bëhet ndaj Interit në Champions.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›