E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiton Dani Pedroza, Rosi i dyti. Stoner bën një rrëzim të bujshëm

Fitore e Daniel Pedrozës në Çmimin e Madh të Valencias. Spanjolli i Hondës ka triumfuar para Yamahave të Valentino Rosit dhe Horge Lorenco. Pas tyre vinin Eduards, Hajden dhe Elias. Një vend i 7 i mirë për Ben Spies, në debutimin në MotoGP pas fitimit të botërorit të superbike. Por, momenti më i pabesueshëm i garës ishte xhiroja e nxehjes me tërheqjen e bujshme të Kejsi Stoner. Australiani i Dukatit, i cili do të duhej të nisej nga "pole", i ka dhënë shumë gaz në dalje të një kthese dhe ka fluturuar nga motori i tij, duke i dhënë fund garës në një mënyrë sa të bujshme aq edhe të turpshme. Në bokse janë treguar të rezervuar, duke sqaruar se ishte problemi i gomave të ftohta dhe të dhënat jo të sakta të telemetrisë: një shpjegim i dobët nga ana e skuadrës. Pastaj gara, për të qenë të sinqertë, nuk ishte shumë interesante. Sigurisht për meritë të Pedrozës, i cili ka konfirmuar se në këto rrethana bëhet gjithnjë edhe më i rrezikshëm, sepse është në gjendje t‘u imponojë garave një ritëm të shpejtë, që vështirë se mund të arrihet nga ndjekësit. Duke filluar nga Rosi, i cili ka dhënë maksimumin, por megjithatë la edhe përshtypjen se nuk dëshironte të rrezikonte në këtë pasarelë përmbyllëse. Në fund e ka mbyllur para rivalit të tij të vërtetë, Horge Lorencos, që u pozicionua i treti. Rosi ka humbur pak kohë në nisje dhe kur është gjendur i dyti, Pedroza ishte shumë i vështirë për t‘u arritur. Pas tre të parëve, të paarritshëm nga i gjithë grupi, kanë mbyllur garën Eduards, Hajden me Dukatit tjetër dhe Toni Elias. I shtati Ben Spies, që mundi të debutojë mirë, duke lënë pas Andrea Doviciozo, i cili e mbylli keq sezonin. Është mbyllur kështu kampionati 2009 i MotoGP, ndërsa sot, gjithnjë në Valencia, do të ndihet atmosfera e Botërorit 2010, ngaqë skuadrat do të provojnë konfigurimin e motorëve për vitin e ardhshëm. Në Botërorin e 250cc, japonezi Hiroshi Ajama fitoi titullin kampion. Ai rrezikoi në mënyrë të pabesueshme pas vetëm pak xhirosh, duke përfunduar në zhavorr, rifutet në pistë dhe më pas arrin në finish, duke fituar titullin kampion edhe falë rrëzimit të Simonçelit. Në 125cc fitoi Simon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›