E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona triumfon në Botërorin e Klubeve

Barcelona ka triumfuar për herë të parë në Botërorin e klubeve, duke mundur 2-1 pas kohës shtesë argjentinasit e Estudiantes. Katalanasit kanë zhvilluar një ndeshje nën nivelin e tyre të zakonshëm, por pas 120 minutash, ata kanë fituar trofeun e gjashtë për këtë sezon, duke hyrë kështu në histori. Ndeshja e zhvilluar në Abu Dabi nuk ka qenë aspak e lehtë, pavarësisht diferencave në cilësi mes dy skuadrave. Ksavit iu mohua një penallti në pjesën e parë, por menjëherë pas këtij çasti, argjentinasit shënuan me Bozelin, në të vetmin aksion të tyre. Pjesa e dytë është luajtur me një portë, por Pedro dhe Henri kanë gabuar dy mundësi të mira. Kur dukej se Estudiantes do të fitonte trofeun, ishte Pedro Rodrigez që shënoi pas një pasimi me kokë të Pike në zonë. Ndeshja shkoi në shtesë, aty ku fituesi i Topit të Artë, Lionel Mesi, realizoi golin e fitores për skuadrën e tij. Kjo ishte hera e parë që Barcelona fitonte Botërorin e klubeve, ndërsa nuk ka fituar as paraardhësen e këtij turneu, Kupën Interkontinentale. Ky ishte trofeu i 6-të sezonal për Barcelonën e Pep Guardiolës, skuadrën që fitoi Ligën e Kampioneve, kampionatin spanjoll, Kupën e Mbretit, Superkupën e Evropës dhe Superkupën e Spanjës. Kjo skuadër konfirmohet tashmë si një prej më të mirave në historinë e futbollit, duke fituar gjithçka madje edhe me një lojë spektakolare.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›