Bardheblutë e përgjysmuar, me një këmbë jashtë Europës
Tirana e sheh veten me një këmbë jashtë Europa League, megjithëse ka luajtur vetëm 90 minutat e para kundër hungarezëve të Zalaegerszegi TE. Takimi i turit të parë kualifikues i zhvilluar në stadiumin “Qemal Stafa” përfundoi në barazim 0-0. Një rezultat që nuk jep shumë shpresa për kualifikimin e bardhebluve, me ndeshjen e kthimit që do të luhet vetëm pas një jave në fushën kundërshtare. Skuadra e drejtuar nga Sulejman Starova është rreshtuar me disa mungesa të rëndësishme, në krahasim me sezonin e kaluar, ku spikatnin ato të Devi Mukës dhe Bledar Devollit. Ajo që ka rënë më shumë në sy ishte padyshim fakti që pa kualitetin e ish-kapitenit Muka, 24 herë kampionët e Shqipërisë kanë paraqitur një nivel të dobët loje dhe kanë humbur forcën ofensive. Kjo, pavarësisht faktit se te Tirana u afrua sulmuesi Pero Pejiç, i cili ende duhet të ambientohet me lojën përkrah Sebino Plakut. Ky i fundit ka tentuar disa herë të gjejë rrugën e rrjetës, por pa sukses. Kjo, edhe sepse tentativat në portën e ZTE numëroheshin me gishtat e një dore (vetëm tri të tilla). Ndoshta bardheblutë duhej të kishin rrezikuar disi më shumë, për të siguruar të paktën avantazhin minimal. Në anën tjetër, Zalaegerszegi TE ka marrë atë që dëshironte: të rreshtuar të gjithë në mbrojtje dhe pa asnjë gjuajtje drejt portës së Ilion Likës (i cili debutoi me Tiranën), ata barazuan dhe tashmë do të synojnë të mbyllin praktikën në sfidën e 8 korrikut në Hungari.
#