Shtesa, parajsa dhe ferri i një Laçi pa eksperiencë
Vetëm një barazim 1-1 për Laçin në ndeshjen e debutimit historik në Europa League ndaj Dnepr Mogilev, të zhvilluar në “Niko Dovana”. Shqiptarët kanë zhvilluar një lojë të pëlqyeshme, e cila ka dhuruar jo pak emocione, ka sfiduar hapur kundërshtarët. Rastet për shënim nuk kanë munguar në të dyja portat. Por pikërisht minutat shtesë të pjesës së parë dhe ato të fundit të ndeshjes kanë rezultuar përkatësisht “parajsa dhe ferri” i laçianëve. Më saktë, në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, ishte lojtari i ri i talentuar i Laçit, Bledar Marashi, ai që ka realizuar në portën e bjellorusëve, duke i dërguar të tijtë në avantazh 1-0. Por, ky avantazh duket se ka karikuar më shumë miqtë, të cilët janë shfaqur më kërkues dhe më solidë në pjesën e dytë, duke vënë në shënjestër portën e Laçit. Llani u mohon në disa raste golin me ndërhyrjet e tij vendimtare. Por meritë ka edhe mbrojtja, e cila i ka bërë ballë për minuta të tëra kundërshtarëve, ndërsa kundërsulmi është manovra kërcënuese drejt portës së Dneprit. Me kalimin e minutave evidenton edhe një farë lodhjeje fizike te shqiptarët, ndërsa miqtë shtojnë presionin. Fitorja ishte shumë pranë, por minuta e 92 ishte fatale për Laçin, pasi sulmuesi i bjellorusëve, Turlin, përfiton nga gabimi i mbrojtjes vendase dhe shënon golin e barazimit 1-1. Mungesë eksperience, gjithsesi laçianët do të provojnë më të mirën edhe një herë në kthim pas 1 jave në Bjellorusi.
#