Nora: Me Besën është e hapur, shkojmë për të fituar
Sulmuesi gjirokastrit, Arlind Nora, thekson se kavajasit kanë një ekip me vlera. Ai nuk e konsideron vendimtar këtë 90-minutësh
Arlind Nora, i cili nuk luajti në ndeshjen me Burrelin, për arsye të kartonit të kuq që mori me Butrintin, ku realizoi 2 gola, fazën e dytë të sezonit të kaluar mbajti fanellën e Besës në superligë, kundërshtarit të radhës të gjirokastritëve. Ai shënoi 5 gola për kavajasit, ndërkohë që para fillimit të këtij sezoni, pas peripecive në lidhje me qëndrimin te Besa apo kthimin te Luftëtari, përfundimisht valët e nxorën tek ekipi mëmë.
Me Besën para Norës ka luajtur edhe një gjirokastrit tjetër, Neritan Novi, ndërsa aktualisht në përbërjen e saj janë Bakaj dhe Bubeqi, të cilët kanë veshur edhe fanellën e Luftëtarit, por për asnjërin në kohën e sotme të furtbollit profesionist nuk ka nostalgji, pra as nuanca kompromisi. Besa-Luftëtari pa dyshim që është kryendeshja e javës së 9-të dhe, si e tillë, paraqet interes jo vetëm për dy ekipet ndërluftuese, por edhe të tjerët, që presin të përfitojnë nga rezultati i saj.
Respekt për Besën Sulmuesi gjirokastrit, Arlind Nora, që me siguri do të jetë në formacionin bazë në këtë përplasje titanësh, shprehet: Besa, edhe pse nuk ka marrë rezultatet që pretendonte, është realisht ndër ekipet më të fortë të kategorisë së parë, ndaj dhe e respektojmë për vlerat e saj tradicionale dhe aktuale. E kam veshur fanellën e saj dhe kam kujtime të freskëta e të mira, por tani detyra më kërkon të luftoj për rezultat pozitiv në favor të Luftëtarit.
Besa ka një ekip shumë të mirë, me disa lojtarë cilësorë, ku do të veçoja Poçin dhe Mihanin. Them se janë në lojë të tri rezultatet e mundshme, por, sipas gjykimit tim, për Luftëtarin nuk është ndeshje kyçe për arritjen e objektivit. Është ndeshja e radhës, natyrisht me një rival të fortë, një përballje direkte, ku ka rëndësi të madhe rezultati që do të arrihet. Nuk e fsheh që ne do të shkojmë për të marrë 3-pikëshin, që do të na krijonte hapësira më të gjera për avancimin drejt superiores.
Do të na duhet të shpalosim gjithë arsenalin tonë , sepse jemi të ndërgjegjshëm se këtë gjë do të bëjë edhe Besa, aq më tepër që vjen nga humbja në Lezhë. Ajo luan në fushën e saj dhe është e qartë se në çfarë situate ndodhet. Por loja e futbollit i ka këto gjithmonë dhe fitues del ai që do të gjejë zgjidhjet e duhura, duke gabuar sa më pak në rastin konkret.
5 gola
Ka shënuar Arlind Nora me fanellën e Besës gjatë fazës së dytë të sezonit të kaluar
2 gola
Ka arritur të realizojë deri tani sulmuesi gjirokastrit për Luftëtarin, por nuk ka luajtur në të gjitha ndeshjet
