E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet me 72 vota ligji kundër kumarxhinjve që denoncohen nga gratë

 Kuvendi miraton me 72 vota pro ligjin e ri për Kazinotë, në të cilën do të ndalojë borxhlinjtë familjarë të luajnë në lojërat e fatit. Asnjë deputet i maxhorancës nuk votoi kundër apo abstenoi në këtë votim. Në bazën e këtij ligji është parashikuar, në rast se familjarët kanë ankesa ndaj burrave, fëmijëve për paratë që shpërdorojnë, atëherë çdo subjekt i licencuar duhet t’i ndalojë, pas njoftimit të marrë nga Njësia e Licencimit të Lojërave të Fatit. Familjarët, përveç denoncimit pranë kësaj zyre, duhet të paraqesin dhe një certifikatë të noterizuar, ku do të vërtetohej pjesëtari i familjes. Përpara votimit, kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho u shpreh se më këtë nismë liberalizohet dhe procesi dhënies së licencave. Kuvendi gjithashtu miratoi me shumicë votash edhe projektligjet “Për ratifikimin e Protokollit II shtesë “Për përkufizimin e konceptit “Produkte origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit ekonomik” që zëvendëson Protokollin me të njëjtin numër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë”; “Për regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike bujqësore dhe “Për regjistrimin e përgjithshëm të njësive ekonomike jobujqësore”. Jashtë rendit të ditës deputetët diskutuan mbi dorëzimin e pyetësorit të BE, dorëzuar dy ditë më parë qeverisë shqiptare, ku Kryetarja e Kuvendit e cilësoi këtë dokument, si kartolinën më të bukur që iu bë shqiptarëve për festat e fundvitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›