Hetim pasurisë së grabitësve të bizneseve
TIRANE - Prokuroria po verifikon pasurinë e shtatë personave të akuzuar për nëntë vjedhje biznesesh në Tiranë dhe Durrës me qëllim kthimin e parave tek personat e dëmtuar. Burime nga hetimi i dosjes kundër shtatë të arrestuarve të operacionit “Hija e Natës”, thanë se prokuroria ka kërkuar verifikimin e pasurive dhe llogarive bankare që ekzistojnë në emrat e personave të dyshuar në bankat e nivelit të dytë. Sipas burimeve zyrtare nga hetimi mësohet se për shkak të vjedhjes së shumave të mëdha nga të arrestuarit, ka nisur verifikimi i pasurisë së tyre me qëllim bllokimin e saj për ta shfrytëzuar për kthimin e shumave tek të dëmtuarit. Faza e verifikimeve për pasurinë e të arrestuarve sapo ka nisur ndërsa burimet nuk japin më shumë të dhëna në lidhje me këtë fakt. Shtatë persona: Elton Lika, 26 vjeç, Sajmir Kuçi, 26 vjeç, Sulejman Bakalli, 26 vjeç, Taulant Mataj, 28 vjeç, Euklid Habili, 27 vjeç, Dritan Duka, 28 vjeç dhe Admir Burri, 31 vjeç, u arrestuan më 13 dhjetor 2009 nga policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ata akuzohen për nëntë grabitje, përfshi edhe rastin e vjedhjes së 600 milionë lekëve në banesën e një biznesmeni pranë Ministrisë së Drejtësisë. Shtatë të arrestuarit akuzohen se kanë grabitur: kasafortën e biznesmenit I.ç, ku janë marrë 600 milionë lekë, agjencinë “Adriatika” në Durrës, kanë tentuar grabitjen e kasafortës së firmës “Skutari” në autostradë, kanë grabitur një kompani makinash në Tiranë, agjencinë “Pasha Travel” në kryeqytet, firmën e ndërtimit “Merkaj”, ambasadën daneze, dhe kasafortën e agjencisë “ATHS”. tr.so