“Bare pushkatoi biznesmenin në sytë e mi”
Fatos Mahmutaj
“Alfred Shkurti kryesoi skuadrën e pushkatimit të tim shoqi, Xhevdet Demirit. Them pushkatim, pasi e tillë ishte vërtet ngjarja e pasdites së 3 gushtit 1997 në qytetin e Lushnjës”. Këto ishin fjalët me të cilat lushnjarja 37-vjeçare Mimoza Demiri, bashkëshortja e Xhevdet Demirit, filloi rrëfimin dje përmes videokonferencës për tmerrin që i kishte shkaktuar banda e Aldo Bares në verën e vitit 1997, kur shteti ende nuk kishte nisur të funksiononte. Megjithëse kishte vendosur paruke, mbi të cilën mbante një kapele policie dhe e veshur me uniformë blu, 37-vjeçarja dëshmoi me anë të videokonferencës, pasi tashmë ka fituar statusin e dëshmitares së drejtësisë dhe është marrë në mbrojtje nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Duke vlerësuar rrezikshmërinë e të akuzuarve si anëtarë të bandës së Lushnjës, dhe përvojën e hidhur të eliminimit të dëshmitarëve, organi i akuzës kishte marrë dje masat për garantimin e jetës dhe shëndetit të dëshmitares. Edhe transporti i 37-vjeçares u bë me supermasa sigurie, ndërsa forcat speciale kanë blinduar gjatë gjithë ditës së djeshme Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ajo u vendos në një ambient jashtë sallës së gjyqit dhe dëshmoi për dy orë rreth vrasjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas Xhevdet Demiri.
Rrëfimi në gjyq
“Quhem Mimoza Demiri, e vitlindjes 1971, lindur dhe banuese në Lushnjë. Im shoq ishte me origjinë nga Maqedonia dhe banonim në Lushnjë, ku me merrej me biznes. Bashkë me burrin tim Xhevdet Demiri dhe vajzën tonë 6-muajshe, në 3 gusht 1997 ndodheshim në plazhin e Divjakës. Sapo nisi pasditja vajza pati probleme shëndetësore dhe u detyruam të merrnim rrugën e kthimit me furgonin tonë. Rreth orës 16:00, te kthesa e Çermës na ndaluan ca persona të veshur me uniforma policie kamuflazhi dhe me maska në kokë. Fillimisht kujtuam për një kontroll rutinë, por më vonë kuptuam se ishin anëtarë të bandës së Alfred Shkurtit. Pas kontrollit vazhduam drejt qytetit. Sapo kaluam shinat e trenit dhe iu drejtuam qendrës së Lushnjës, te kthesa e “Blerimit”, te kaçubet, pamë katër persona me uniforma kamuflazhi dhe të armatosur që na bënë me shenjë të ulnim shpejtësinë. Unë i njihja të gjithë: ishin Alfred Shkurti, Enver Dondollaku, Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha. Pak metra më poshtë, majtas, në një “Benz” të zi qëndronte Arben Boriçi. Edhe im shoq i njihte. Sapo furgoni zuri të ngadalësohej ata vunë maskat, ndërsa im shoq frenoi, hapi derën dhe doli jashtë me krahëhapur duke thënë: “Çfarë doni nga unë”. Nuk mundi të thoshte gjë tjetër, pasi ata, të cilët ishin rreshtuar si një skuadër pushkatimi qëlluan me breshëri drejt tij, ndërsa unë dhe vajza e sëmurë ndodheshim në furgon bashkë me një person tjetër, inicialet e të cilit janë B.Gj. Pas kësaj, Stërgu, Dondollaku dhe Hoxha u drejtuan drejt ‘Benz’-it ku ndodhej Boriçi, ndërsa Alfred Shkurti u kthye, nxori pistoletën nga brezi dhe e qëlloi dy herë në kokë, për t’u siguruar për vdekjen e tij. Pastaj u larguan të gjithë”.
Dëshmitë e policëve
Po dje, Gjykata e Krimeve të Rënda pyeti edhe pesë persona të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve të kësaj ngjarje. Ishin dy ekspertë, shefi i operacionit të arrestimit të Afrim Hoxhës në vitin 1999 dhe dy oficerë policie. Këta treguan para gjykatës se kishin këqyrur vendngjarjet e krimeve, në të cilat kishte marrë pjesë edhe vetë Alfred Shkurti, në kohën që sapo kishte nisur të krijonte bandën e Lushnjës, atë që më pas do të merrte përmasa të frikshme dhe që do të terrorizonte krejt zonën për tetë vjet me radhë. Sipas burimeve nga procesi, mënyra e pyetjes së këtyre dëshmitarëve shkaktoi debat mes anëtarëve të trupit gjykues. Përbërësit e trupit gjykues, gjyqtarë penalistë të Tiranës të deleguar te Krimet e Rënda dhe kryesuesja e procesit, për shkak të debateve në dhomën e këshillimit, vendosën të mos i pyetnin dy javë më parë dëshmitarët, pasi nuk ranë dakord nëse do i pyesnin të gjithë me videokonferencë apo para gjykatës përballë të pandehurve dhe familjarëve të tyre. Gjykata më në fund pranoi kërkesën e Prokurorisë për të pyetur me videokonferencë bashkëshorten e tregtarit Demiri dhe dëshmitarin A.K. Por dje, për shkak të zgjatjes së seancës deri në orën 15:30, gjyqtarët kryeqytetas u larguan për në institucionin e tyre, duke e shtyrë pyetjen e A.K. në seancën e radhës. Edhe ky, njëlloj si Demiri, pritet të dërgohet në proces nën supermasa sigurie, i maskuar dhe i shoqëruar me mjete të blinduara.
Aldo Bare në gjyq për vrasjet
Kreu i bandës së Lushnjës, Alfred Shkurti, i cili tashmë mban emrin Aldo Bare, akuzohet se ka marrë pjesë vetë në vrasjen e shtetasve: Nimet Zeneli, Masar Aliu, Idajet Beqiri, Luan Bilbili, Xhevdet Demiri, Artur Daja dhe Genci Kashari, të kryera gjatë viteve 1997-‘99. Bashkë me të për këto krime ndodhen nën akuzë edhe Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arjan Aliço, Rexhep Gina dhe Agur Musaku, i cili tashmë mban emrin Jorgo Muzaka.