E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epidemia, Ndoka ultimatum vendorëve: Klorifikoni ujin

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, mbërriti dje në Poliçan për të parë nga afër situatën e krijuar si pasojë e epidemisë që dyshohet ta ketë prejardhjen nga uji i ndotur. 

POLIÇAN/ DILAVER XHELILI

Pasi është informuar me detaje mbi atë që kishte ndodhur, Ndoka ka urdhëruar përfaqësuesit vendorë që të tregojnë më shumë kujdes për klorifikimin e ujit. Kjo kërkesë e ministrit vjen vetëm një ditë pasi ekspertët e shëndetësisë të ardhur edhe nga Tirana, pohuan se klorifikimi i ujësjellësit e depove të tij nuk ishte në standardet e duhura. Ndërkaq, gjendja e 105 të sëmurëve tashmë është normalizuar. Në qendrën shëndetësore të Poliçanit nuk ka më asnjë rast emergjence. Pacientët janë jashtë rrezikut nëpër shtëpi, ndërsa 4 prej tyre ndodhen ende të shtruar në spitalin e Beratit. Pas normalizimit të situatës, bashkia e qytetit, e konsultuar edhe me ekspertë të mjekësisë vendosën që të nisë furnizimi me ujë i qytetit. Megjithatë, banorët janë porositur të mos e përdorin atë as për të pirë dhe as për gatimin e ushqimeve të tjera. Ata janë detyruar që prej dy ditësh ujin ta blejnë nga autobotet, të cilat furnizohen në burimin e Bogovës. Një shishe ujë 5-litërshe është shitur ditët e fundit me 50 lekë. Jo pak të fituar kanë dalë edhe shitësit e dyqaneve, të cilët produktin më të kërkuar gjatë këtyre ditëve kanë pasur pikërisht ujin. Përfaqësuesit e pushtetit lokal, të shëndetësisë dhe të ujësjellësit po punojnë në të gjitha drejtimet për të parandaluar përhapjen e kësaj epidemie që tronditi qytetin. Burime nga ujësjellësi pohuan se, tubacionet që furnizojnë qytetin me ujë të pijshëm dhe depot janë dezinfektuar në masë. Sipas mjekut specialist, Petraq Ceca, epidemi me simptoma të tilla e kanë prejardhjen nga ndotja e ujit si pasojë e kontaminimit të ujërave të zeza me të bardha, ose nga mosklorinimi në parametrat e nevojshme të ujit të pijshëm. Situata alarmoi Ministrinë e Shëndetësisë e cila dërgoi ekspertët për t’u njohur me situatën. Tashmë pritet që fjalën e fundit për shkakun e kësaj epidemie ta japin përfundimet e analizave, të cilat po bëhen në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›