E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, zjarr në qeli pas transferimit të shokëve

BURREL - Transferimi i 40 të dënuarve të burgut të Burrelit drejt qelive të burgut të ri të Fushë-Krujës ka krijuar rebelim tek të burgosur të tjerë që kanë kërkuar gjithashtu zhvendosjen. 

Në shenjë proteste, në një prej qelive, rreth 8 të dënuar i kanë vënë flakën batanijeve. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, ndërsa gardianët e kanë pasur të pamundur të ndërhyjnë. Është lajmëruar drejtori i burgut, Shkëlqim Gjoçuka, i cili ka kërkuar ndihmën e zjarrfikësve për të shuar flakët. Sipas të dhënave të burgut, revolta nuk kishte qëllim arratisjen e mundshme, por reagimin e të dënuarve ndaj emrave të personave që u transferuan prej qelive të Burrelit drejt kushteve më të mira. Duke pretenduar se mes 40 personave ka dhe të dënuar me burg të përjetshëm, protestuesit thonë se ata që kanë marrë më pak vite heqje lirie detyrohen të qëndrojnë në burgun e sigurisë së lartë. Kushtet e këqija të këtij burgu, largësia si dhe fakti që aty ndodhen të dënuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore ka detyruar dhjetëra të tjerë, të dënuar nën 25 vite që të transferohen prej tij. Mësohet se ndër të revoltuarit janë dhe Besnik Doda apo Shpëtim Gjoni, përkatësisht të dënuar me 25 apo 16 vite heqje lirie. Pas qetësimit të situatës ditën e djeshme mësohet se atyre u është pohuar se kanë emrin në listën e personave që do të transferohen, pasi po vazhdon procesi. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›