Baret dhe restorantet kriposin çmimet për festa, mbi 100 euro prenotimi për Vit të Ri
Shqiptarët i rikthehen traditës, festa në shtëpi Nata e ndërrimit të viteve do ta gjejë pjesën më të madhe të shqiptarëve rreth tryezës tradicionale familjare. Megjithëse zbukurimet dhe atmosfera festive kanë filluar të pushtojnë rrugët e qyteteve, sidomos të kryeqytetit këtë vit vihet re një stepje e qytetarëve për të prenotuar darkën në lokale dhe hotele luksoze. Të detyruar nga rritja e çmimeve në restorante të kryeqytetit, e jo vetëm në ato më luksozët por, edhe nga lokali më i thjeshtë që variojnë
nga 70-150 euro, mjaft qytetarë kanë vendosur që Vitin e Ri ta festojnë në familje, ndërsa pas orës 00:00 të mbrëmjes të dalin nëpër lokale me muzikë live ose pab-e, ku çmimet në këto lokale vargojnë mbi 50 euro. Përjashtim nga këto familje, që do ta festojnë Vitin e Ri sipas mënyrës tradicionale, në shtëpi, sigurisht që do të bëjnë familjet e kamura dhe ato të politikanëve, për të cilët festimi i kësaj feste pa luks nuk përtypet dot. Si gjithmonë, këto familje të pasura edhe këtë vit jenë prenotueset e para, ndoshta edhe të vetmet, të hoteleve luksoze në kryeqytet. Në restorantet që ndodhen në qendër ose përgjatë bulevardit kryesor, për të prenotuar nuk flitet në lekë por në euro, kështu në këto restorante çmimet janë nga 110 euro e lartë. Prenotimet Prenotimet në këto restorante ende nuk kanë nisur, por atmosfera është përgatitur, menyja po ashtu, ndërkohë që edhe çmimet janë përcaktuar. Secili prej tyre ka klientelën e vet të përzgjedhur, por ajo që mbetet e pandryshueshme për të gjithë është fakti se të festosh në këto restorante duhet të jesh me xhepin plot. Restorantet e njohura të Bllokut do të jenë vendi më i preferuar për të festuar nga qeveritarët, opozitarët dhe biznesmenët. Ky fakt pohohet nga menaxherët e këtyre restoranteve, të cilët bëjnë të ditur se deri tani prenotimet aty janë bërë nga kjo kategori e të pasurve. Ndërsa qytetarët e thjeshtë edhe për këtë vit do të jenë të dënuar të festojnë në shtëpi duke iu lutur Zotit që të mos u fiken dritat, siç ndodh rëndom në raste festash, megjithëse vazhdimisht nga qeveritarët deklarohet se nuk do të ketë kufizime. Ndërkohë që një familje me ekonomi mesatare kaq lekë do ti shpenzojë për blerjen e gjërave më të domosdoshme për këtë festë. Të kontaktuar nga gazeta, punonjës të këtyre hoteleve shprehen se këto ditë nuk kanë filluar mirë prenotimet për festat. Madje, mjaft lokale dhe hotele nuk kanë përgatitur ende fletëpalosjet informuese për qytetarët, në të cilat tregohet menyja e darkës, çmimet për person, si dhe aktivitetet që do të zhvillohen në natën e Vitit të Ri në ambientet e tyre. Po ndërsa festat e fundvitit po afrojnë, vëmendja e të gjithë njerëzve është përqendruar rreth mënyrës se si do ti kalojnë këto festa. Disa kanë zgjedhur të festojnë sipas mënyrës tradicionale, pranë familjeve të tyre. Kjo pikësëpari për arsye edhe të çmimeve të kripura që ofrojnë restorantet luksoze të kryeqytetit. Ndërsa të tjerë, ata më të njohurit, politikanët, biznesmenët, familjet e pasura, ashtu si çdo vit do të kenë luksin që natën e ndërrimit të viteve ta kalojnë në lokalet më luksoze të Tiranës. Çmimet e restoranteve Çmimet e 2009-ës janë më të shtrenjta se vitet që kemi lënë pas. Restorantet me 3 apo katër yje do të ofrojnë meny me çmime rreth 10 mijë lekëshit. Çmimet e darkës për natën e ndërrimit të viteve, që hotelet e njohura të kryeqytetit kanë vendosur, vardojnë nga 100-150 euro për person, por kjo përsa i përket vetëm pjatës pasi, për të shoqëruar pjatën me pije atëherë çmimi i pijes është në vete. Ata më pranë qendrës edhe më shumë. Restorante të tjera me pamje të bukura, në qytetet kryesore të vendit do të ofrojnë pothuajse të njëjtat çmime, jo vetëm në lek, por edhe në euro. Prestigji dhe emri që kanë fituar pub-et apo bizneset e dëfrimit në vend shesin edhe logon bashkë me çmimin. Vazhdimi i festes së natës të Vitit të Ri pas orës 12 në lokalet luksoze të Tiranës apo PUB-eve kushton jo pak për shumë qytetare që zgjedhin këto ambiente. Pronarët më shumë se çdo herë natën e ndërrimit të viteve kanë dyfishonin fitimet e tyre. Në disa prej PUB-eve më të njohura në Tiranë, kryesisht në zonën e "Bllokut" kushton 1000 leke të reja. Kështu vetëm hyrja në këto lokale kushtonte 1 mije lekë të reja, ndërsa çdo pije alkoolike apo një Redbull kushtonte jo më pak se 500 lekë të reja.Liri Mëhalla
Last Updated on E Hene, 28 Dhjetor 2009 21:44