ISKSH miraton shpërblimin e mjekëve për fund vit
Rreth 20 mijë mjekë të spitaleve dhe qendrave shëndetësore në mbarë vendin do të përfitojnë për festat e fundvitit një pagë shpërblim. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, deklaroi të hënën se shpërblimi u përllogarit në bazë të treguesve të performancës së mjekëve për Qendrat Shëndetësore në të gjithë vendin. Falë rezultateve të arritura, pothuajse të gjitha Qendrat Shëndetësore përfitojnë një pagë shpërblim në fundviti.
Sa i takon spitaleve, ato do të përdorin 5 % te fondit te planifikuar vjetor te pagave për dhënien e shpërblimeve në masën 15 mije leke për punonjësit me paga të ulëta dhe 10 mijë lekë për punonjësit e tjerë, pohoi drejtoresha e ISKSH-së. Por sipas saj, në bazë të falë udhëzimit të ISKSH-së për përdorimin e 30% te të ardhurave dytësore për shpërblime, i cili bazohet në vendimin e Qeverisë për përdorimin e të ardhurave dytësore nga vete spitalet, shuma që mund të përfitohet, mund të shkojë deri në një pagë mujore. Nga ky fond përfitojnë rreth 9300 punonjës të Qendrës shëndetësore, nga të cilët rreth 2000 mjekë familje e të përgjithshëm dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 700 punonjës të tjerë, sanitarë, shoferë, ekonomistë. Të gjitha fondet për përballimin e shpërblimeve janë transferuar tashmë në llogaritë bankare të QSH të cilat duhet të veprojnë menjëherë për shpërndarjen e tyre brenda datës 31.12.2009. Nga fondi i shpërblimeve përfitojnë rreth 11.888 punonjës të shërbimit spitalor sekondare e terciar, nga të cilët mbi 1600 mjekë, 6300 infermierë e laborantë dhe 3988 punonjës të tjerë administratorë, e të shërbimit mbështetës. Gjatë vitit të kaluar ministria e Shëndetësisë, lidhur me këtë çështje, deklaroi se institucionet shëndetësore do të merrnin shpërblimin në masën 5 për qind të fondit të akorduar. Ndërkohë që shpërndarja u aplikua sipas punës së kryer nga mjekët, e cila ndahet në disa nivele. Vlerësimi i punonjësve bëhet nga drejtoritë përkatëse në institucione. Për të gjitha shkallët shpërblimet janë: Niveli 1, Shumë mirë një pagë mujore; Niveli 2, Mirë 70 për qind të pagës mujore; Niveli 3, Kënaqshëm 50 për qind të pagës mujore. Punonjësit, mbarëvajtja e të cilëve është vlerësuar me nivelin Jo mjaftueshëm (niveli 4), nuk marrin shpërblim.