Bariç-Brigel, si dy pika uji për Shqipërinë

Trajneri i Kombëtares, kroati 74-vjecar Oto Baric, nuk do të rikthehet në Shqipëri pas përfundimit të ndeshjes miqësore me San Marinon, e programuar për ditën e mërkurë, datë 16 gusht ora 20:30.
Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë drejtuesve të FSHF-së, në diskutimet që ky Baric ka patur me drejtuesit e FSHF-së. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Roland Mici, pak ditë më parë kishte pohuar se Baric do të rikthehej në Shqipëri menjëherë pas ndeshjes, duke lënë të nëkuptuar edhe mundësinë se tekniku mund të ishte në dispozicion të shtypit për të bërë komente të ndryshme rreth ndeshjes së parë të tij me përfaqësuesen shqiptare.
Edhe me rastin e përgatitjeve të ndeshjes më Bjellorusinë (2 shtator 2006, ora 19:00), tekniku nuk do të jetë në Shqipëri, por do të udhëtojë drejt e në Hamburg , ku dhe do të presë lojtarët e tij më 28 gusht.
Sipas marrëveshjes së firmosur nga kroati me FSHF-në, Baric është i detyrar të vijë në Shqipëri pesë ditë para një ndeshje ndërkombëtare, qoftë kjo në Shqipëri apo jashtë saj.
Premtimi i bërë nga ana e kroatit dhe i përsëritur nga ana e FSHF-së, sipas së cilës Baric do të qëndrojë më shumë se gjermani 51-vjecar Brigel në Shqipëri, rezulton të jetë një e pavërtetë.