Edvin Murati, humb miqësoren me San Marinon

Mesfushori Edvin Murati, një nga katër lojtarët e përfaqësueses shqiptare ende të pasistemuar në një ekip për sezonin 2006-2007, nuk do të jetë pjesë e formacionit të Shqipërisë në ndeshjen e sotme kundër San Marinos (ora 20:30).
Murati,(40 ndeshje, 4 gola me Kombëtaren) ka patur dje probleme në njërën nga këmbët dhe ka kryer një stërvitje të diferencuar. Gjithsesi një vendim përfundimtar mjekët e ekipit Dritan Baholli dhe pjestarët e tjerë të stafit mjekësor, Ylli Mihali dhe Asllan Kasa, do t'ia bëjnë me dijë trajnerit krot Baric, pak orë para fillimit të ndeshjes së parë historike me një kundërshtar si San Marino.
Dje përfaqësuesja jonë zhvilloi dy seanca stërvitore, paradite dhe mbasdite në orën 18:00, në stadiumin ku do të zhvillohet edhe ndeshja.
Në San Marrino ndodhet thuajse i gjithë stafi më i lartë drjejtues i FSHF-së, përfshirë presidentin Armand Duka, sekretarin e përgjithshëm Roland Mici, të cilët kanë bërë edhe prezantimin e trajnerit të ri, kroatit Oto Baric dhe stafit të tij, Sllavko Kovacic, Shpëtim Duro dhe Foto Strakosha me lojtarët e përfaqësueses.
Mesohet se Baric, ka mbajtur edhe një fjalim të shkurtër ku ka bërë të ditur edhe idetë e tij për zhvillimin e përfaqësueses, një fjalim i mbajtur në gjuhën gjermane, ndërsa si përkthyes ka shërbyer mjeku Dritan Baholli, dhe jo Ajet Xeka, që përkthente kur trajner ishte Hans Peter Brigel.
Franc Hoxha