E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baric: "Jam 75 vjeç, por jo plak”

Zyrtarisht Oto Baric është i punësuar si trajner i Shqipërisë deri më 21 nëntor 2007, kur mbaron edhe kontrata e tij, pas përfundimit të ndeshjes me Rumaninë, e fundit në fushatën kualifikuese për Euro 2008. Në shtyp është folur shpesh për vazhdimësinë e kroatit në stolin e Shqipërisë, apo për mosrinovimin e kontratës së tij. Herë pas herë Baric përmes medias kroate ka kërcënuar Federatën Shqiptare të Futbollit për një punësim të tij te Dinamo e Zagrebit, por ka përmendur se ka një ofertë fenomenale nga një ekip i madh, por duke e mbajtur mister emrin e skuadrës. "Te Dinamo ndihem si një shef i madh, pasi kam qene në të gjitha detyrat: lojtar, trajner, drejtues i akademisë së futbollit, por dhe drejtor sportiv. Tani më duan të jem drejtor i zbulimit të talenteve, dhe detyra ime është të gjej lojtarë të talentuar, të këshilloj drejtuesit e klubit se cilat janë blerjet më të mira".
Trajneri Baric pranon se ka marrëdhënie të shkëlqyera me presidentin Duka, bisedon shpesh me të, por nuk kanë folur së fundi për rinovimin e kontratës. "Duka duhet të më propozojë dhe unë pasi të analizoj kushtet do të them po ose jo. Kjo duhet të ishte rruga normale. Ai pret përfundimin e ndeshjeve. Ka të drejtën e tij, por unë duhet të gjykohem për 12 ndeshjet dhe jo për një të vetën. Ju gazetarët mund të shkruani sot: "Baric e meriton të qëndrojë", por mund të shkruani kur humbas: "Barici nuk na duhet më". Duka është një president vizionar, ai e di se cduhet të bëjë". Trajneri Baric është sot 75-vjec dhe aktualisht trajneri më i vjetër në moshë në detyrë në botë. Me rinovinin e kontratës dhe përgatitjen e ekipit për fushatën kualifikuese të Botërorit 2010, ai në vitin 2009 do të jetë 77 vjec. A mund ta përballojë ai projektin Afrika e Jugut 2010? Baric , i cili ka dhënë mbi 1000 konferenca për shtyp për gazetarët e të gjitha vendeve të Europës, thotë troc: "Po këta drejtuesit e ekipi të madh që më kërkojnë nuk e dinë moshën time? Mos më shikoni nga flokët - përherë të lyera më bojë- pyesni lojtarët që më shohin ende të vrapoj".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›