E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mërgim Mavraj vishet kuqezi në miqësoren e muajit nëntor

Kombëtarja shqiptare është fare pranë sigurimit të shërbimeve të mbrojtësit Mërgim Mavraj. 22-vjeçari, i cili militon te Bokum, në Bundesligën gjermane, besohet se do të vishet kuqezi që prej miqësores së 19 nëntorit. Kosovari, me pasaportë gjermane, shihet si një përforcim mjaft i vlefshëm për skuadrën e drejtuar nga Ari Han, në aventurën eliminatore të Botërorit 2010. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilat saktësuan se Mavraj ka rënë parimisht dakord që të luajë me përfaqësuesen tonë. "Gjatë një bisede, që stafi i afërt i trajnerit Han ka pasur me mbrojtësin kosovar, ata i kanë ofruar sërish që ai të përfaqësojë Shqipërinë", pohoi burimi konfidencial. "Mavraj konfirmoi se do të luajë me Kombëtaren dhe kjo pritet të ndodhë që prej miqësores së muajit nëntor. Ai shihet si një alternativë mjaft e mirë në mbrojtje, mbi të gjitha në qendër, e në këtë mënyrë do të hapte rrugën për aktivizimin e Debatik Currit në një tjetër pozicion (në krah të majtë të mbrojtjes ose të mesfushës)". Emri i Mërgim Mavrajt nuk është i panjohur në ambientet e Kombëtares. Interesimi për mbrojtësin ka filluar që prej periudhës kur Shqipëria drejtohej nga Oto Bariç, por lojtari i ka shpërfillur sistematikisht ofertat e FSHF-së. Ai ishte më shumë i përqendruar te përfaqësuesja gjermane. Por, duke qenë se aktivizimi me këtë skuadër cilësohet si i pamundur, 22-vjeçari u bind se përfaqësimi me kuqezinjtë mund ta ndihmonte edhe në karrierën në klub. Mavraj ka luajtur një ndeshje me kombëtaren U-21 të Gjermanisë, miqësoren jozyrtare me Italinë, megjithatë kjo nuk pritet të komprometojë afrimin e tij me skuadrën e Ari Han. Ndërkohë, për sa i përket emrit të kundërshtarit për miqësoren e muajit nëntor, ende asgjë nuk është zyrtare. Bisedimet vazhdojnë me disa federata, duke përfshirë këtu Turqinë e Sllovakinë, por në "pole position" për të ardhur në stadiumin "Qemal Stafa" duket Sllovenia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›