Bariç: “Maqedonia, një “kockë” e fortë”

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Oto Baric u paraqit mjaft i qetë në konferencën e tij të shtypit (ora 13:00) në mjediset e Hotel Adriatik. Madje kroati, u krijoi si rallëherë mundësinë gazetarëve të shumtë shqiptarë, apo të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia që ta pyesnin deri në detaje, i bindur se kishte të gjitha spjegimet e duhura dhe argumentat e nevojshëm. Baric lejoi edhe ndonjë "provokim" mediatik, teksa pohoi se jo pak herë media shqiptare jep mesazhe të ndryshme nga ato që përcjell. "Gjendja e skuadrës është e kënaqshme, të paktën deri në këto momente. Për fat të keq Lorik Cana nuk mundi të vinte, pasi është dëmtuar në ndeshjen e fundit me skuadrën e tij, Marsejën. Megjithatë, unë mendoj se tani ne jemi më të fortë, nga c'kemi qenë përpara disa muajsh. Kemi gjetur disa lojtarë të mirë, që mund të luajnë në formacionin bazë, duke nisur me Currin, Berishën dhe Kapllanin, por edhe katër lojtarë të tjerë, që do të jenë gati për ta bërë këtë në të ardhmen, si Memelli, Hyka, Sukaj dhe unë besoj se brenda një muaji ne do të marrim edhe Rustemajn. Gjithsesi, përsa i përket kësaj ndeshjeje miqësore me Maqedonin, unë do t'u tregoj tani formacionin me të cilin ne do të dalim në fushë. Në portë do të jetë Beqaj, në mbrojtje Hasi, Beqiri dhe Dede. Në mesfushë, Dallku, Haxhi, Lala, Mukaj dhe Berisha, ndërsa në sulm do ta nisë Tare me Kapllanin. Do të bëjmë 6 ndërrimet e lejuara gjatë ndeshjes dhe do të provoj shumë futbollistë, emrat e të cilëve nuk mund t'ua them për momentin.
- Nga këto që thoni duket se nuk doni të injoroni rezultatin e miqësores me Maqedoninë. Por përse nuk aktivizoni lojtarët e perspektivës, sic i keni quajtur ju, duke e nisur me sulmin?
- Mos harroni që në formacion ka lojtarë si Berisha dhe Kapllani, të cilët janë e ardhmja jonë.
- Ideja ishte përse nuk aktivizoni Memellin dhe Kapllanin në sulm, në vend të Tares dhe Kapllanit?
- Sepse kjo nuk është ideja ime. Meqë po përmendi Memellin, përse nuk përmendi Berishën dhe Kapllanin për shembull? Kemi disa lojtarë dhe ne do të shohim ndërmjet tyre, për të aktivizuar më të mirët. Unë shoh edhe rendimentin e stërvitjes dhe përvec kësaj unë nuk dua të humbas. Kjo, sepse Maqedonia është një kundërshtar shumë i fortë, që ka vetëm një humbje në grup dhe një barazim me Anglinë. Pra, meqë më përmendët Memellin unë them se është një sukses për të që është në 18-she.
- Ju thatë që keni të drejtën të ndërroni gjashtë lojtarë, sipas rregullores në këtë miqësore. Cilët do të jenë ata që do të kenë shansin të provohen nesër?
- Në pankinë ne do të kemi të 18-lojtarët dhe unë nuk mund të them se cilin do të aktivizoj, ose jo. Sigurisht që unë i di emrat e dy, ose tre lojtarëve që mendoj të aktivizoj, por do të bëja gabim sikur t'i thoja. Sepse lojtarët do ta lexojnë gazetën të nesërmen dhe do të thonin, përse të jem unë i 20-ti.
- Mendoni se me përzgjedhjen e lojtarëve të rinj, që doni të ndërtoni skuadrën e së ardhmes, do të zgjidhni sadopak problemin e mbrojtjes që ka qenë edhe reparti më problematik për këtë përfaqësuese?
- Unë kam gjetur një pjesë të zgjidhjes, por jam duke kërkuar sërish. Përshembull, Rustemaj është një lojtar shumë i mirë, por për fat të keq ai nuk është këtu. Curri dhe Cana janë lojtarë mbrojtës, të cilët ne mund t'i vendosim të fundit në repartit e prapavijës, por edhe ata janë të pamundur, për arsyet që sqarova më përpara. Pra, kemi tre lojtarë, por që nuk mund të luajnë të mërkurën. Ajo që dua të them është se, me këta të tre dhe me ata, për të cilët unë do të vazhdoj të kërkoj do ta zgjidhim këtë problemin e mbrojtjes.
- Fakti që keni thënë se formacioni anti-Maqedoni është i fortë ehe pa Canën dhe Currin, mos do të thotë se, nëse ai arrin t'u dhurojë fitoren të mërkurën, do të jetë e njëjta përbërje edhe ndaj Sllovenisë?
- Nuk mund të them nëse do të jetë ky, ose jo i njëjti formacion edhe në ndeshjen me Slloveninë. Kjo do të varet nga mënyra sesi të gjithë lojtarët që do të aktivizoj do të luajnë të mërkurën. Përshembull unë nuk mund të di sesi do të luajnë Duro, apo Bogdani, nëse do të aktivizohen ndaj Maqedonisë. Pikërisht për këtë, unë do të shikoj nesër dhe nëse ata që do të hyjnë si zëvendësues do të luajnë më mirë, me siguri do të jenë ata në formacionin bazë, ndaj Sllovenisë.
Durres, 6 shkurt 2007