Bariç: Me mua Shqipëria s’do të dështonte
Jetmir Halilaj/Elvis Kasmi
E ka të vështirë të bëjë diplomatin, por edhe pse nuk dëshiron të kritikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë Ari Hanin, lë të kuptohet se është i zhgënjyer nga puna që holandezi ka bërë në Kombëtaren shqiptare. Oto Bariç, ish-trajneri i përfaqësueses kuqezi e thotë troç: “Me mua në krye Shqipëria nuk do të kishte dështuar, përkundrazi do të kisha bërë një ekip më të fortë”. Në një intervistë për “Panorama”, kroati 71-vjeçar është i habitur nga fakti që Ari Hani ka bërë shumë pak ndryshime në skuadër. “Ai vazhdon të punojë me skuadrën që i lashë unë në dispozicion. Po të kisha qenë unë, do të kisha bërë ndryshime rrënjësore në ekip. Aty nuk mungojnë talentet”, ka theksuar Bariç.
Mister, a jeni në dijeni të dy rezultateve të fundit të Shqipërisë?
Po, sigurisht që po. Kundër Hungarisë ishte një ndeshje që duhej ta kishit fituar patjetër. Ndërsa ndeshja në Danimarkë ishte e pritshme.
Tani jemi të parafundit në grup. A mendoni se ky edicion dështoi për ne, meqë na kanë mbetur vetëm ndeshje shumë të vështira, si Portugalia, Suedia dhe Danimarka?
Për të qenë i sinqertë, prisja të dilnit në vend të tretë ose të katërt, por jam jashtë skuadrës suaj tani dhe nuk dua që të lëshoj kritika ndaj askujt. Gjithsesi, më habit shumë fakti që keni vetëm gjashtë pikë pas gjithë këtyre ndeshjeve.
Këtu kërkojnë shkarkimin e Ari Hanit, ju si mendoni?
Nuk më takon mua që të përgjigjem për këtë. Por edhe njëherë dua të theksoj se prisja nga përfaqësuesja shqiptare që të renditej në vend të tretë ose të katërt.
Në këto dy ndeshje, Hani ka lënë jashtë Bogdanin dhe Kapllanin, ç’mendim keni për këtë?
Kapllani luan pak në kampionatin gjerman dhe në fakt prisja që këtë sezon të bënte diçka më mirë se vitin e kaluar. Thirrja në Kombëtare e këtyre dy sulmuesve, varet nga forma aktuale e tyre dhe suksesi që kanë me klubet. Nuk mund të them më tepër se kaq. Por a mund t’ju pyes se kush luajti në këto dy ndeshje?
Luajti Salihi dhe Berisha.
Eh, edhe nga Salihi prisja më shumë, pasi e kam parë në disa ndeshje të kampionatit austriak dhe ka qenë rezultativ, duke shënuar gola. Çudi që nuk shënon me Kombëtaren.
Nëse do të ishit ju në një situatë të tillë, si do të vepronit?
Nuk mund të them ndonjë gjë konkrete, sepse shumë gjëra varen nga rrethanat. Megjithatë, do të kërkoja për lojtarë të rinj. Me sa kam parë në këtë përfaqësuese, Ari Hani ka punuar me të gjithë lojtarët që kam pasur unë në dispozicion edicionin që shkoi. Jam i mendimit se gjatë kohës që kam qenë unë aty, kam gjetur mjaft lojtarë të rinj të talentuar dhe ky proces duhet të kishte vazhduar edhe pas meje.
Shqipëria nuk ka shënuar asnjë gol në pesë ndeshjet e fundit, si mendoni?
Problem vërtet shumë i madh ky. Por ajo që unë do të ndryshoja në këtë aspekt, do të ishte stërvitja e sulmuesve. Do të bëja seanca stërvitore speciale enkas për sulmuesit, me qëllim që ata të dilnin nga kjo situatë. Nëse ata do të ishin më rezultativë para portës, atëherë situata e Kombëtares suaj do të ishte krejt ndryshe.
Në Shqipëri ka nostalgji për Bariçin, a do pranonit të vinit?
Kam kaluar një kohë mjaft të bukur dhe jam shumë i lumtur që e dëgjoj këtë. Ishte vetëm një ndeshje që më largoi nga Shqipëria: ajo kundër Rumanisë, e cila për mua është ende një enigmë. Në këtë ndeshje nuk kam qenë në stol, për shkak se isha i dënuar, por ende nuk i jap dot një shpjegim logjik asaj disfate. Ishte tepër e rëndë, ndaj dhe vendosa të largohesha.
A do të vinit sërish nëse do të merrnit ofertë?
Më bëhet qejfi që vlerësohet puna ime. Po të kisha qëndruar, skuadra shqiptare sot do të ishte akoma edhe më e fortë se ajo e sezonit të kaluar dhe padyshim që rezultatet do të kishin qenë më të mira. Por nëse federata do të më telefonojë, jam i gatshëm që të bisedoj me ta. Përveç kësaj, njoh edhe dy trajnerë të rinj në moshë, por shumë të aftë, me të cilët mund të punoja në krye të Kombëtares shqiptare dhe të arrinim rezultate të mira. Meqë ra fjala, vazhdon të jetë Duka presidenti i federatës?
Po, Duka është president.
Unë shumë shpejt do të bëhem drejtor sportiv i një klubi mjaft të madh evropian. Por edhe njëherë e theksoj, se do të isha i gatshëm që të bisedoja me drejtuesit e FSHF-së për të diskutuar.
Lala ju ka cilësuar si trajnerin më të suksesshëm.
Më bëhet shumë qejfi. E falënderoj atë.