Salihi i pandalshëm, arrin kuotën 8
Në kampionatin austriak, Hamdi Salihi është një specialist i vërtetë goli, ndonëse me kombëtaren nuk po arrin të zhbllokohet. Sulmuesi shkodran shënoi dje në minutën e 60-të golin e barazimit të skuadrës së tij, SV Ried, kundër Altahut (1-1), në javën e 28 të Bundesligës austriake, vetëm dy minuta pasi vendësit kishin realizuar me anë të Vorisek (58’). Edhe në javën e 27-të, po ndaj Altahut, por kësaj radhe në shtëpi, Salihi shënoi një gol në fitoren 3-2 të SV Ried. Për ish-sulmuesin e Vllaznisë dhe Tiranës, ky ishte goli i tij i 8-të në kampionat dhe i 13-ti sezonal, përshirë dhe 5 të tillë në Kupën e Austrisë. Gjatë dy sezoneve e gjysmë me SV Riedin (nga janari 2007), Salihi në 68 ndeshje ka realizuar në total 26 gola. Mesfushori shqiptar, Ervin Bulku, po shndërrohet në një goleador në kampionatin ukrainas, pasi me golin e tij në fitoren 2-1 të Krivbasit kundër Zorias së Parid Xhihanit., ai ka fituar derbin shqiptar me kavajasin. Ky ishte goli i dytë radhazi për të. Ervin Skela “shijoi” nga pankina rënien e lirë të Kotbusit, në humbjen 2-1 në transfertë kundër Eintrahtit. Trajneri i Kotbusit nuk preferoi ta hidhte në fushë Skelën, për shkak të lodhjes në ndeshjet me Kombëtaren. Mbrojtësi Mërgim Mavraj luajti 90 minuta në humbjen 1-2 të Bokumit të tij me Shtutgartin. Dallku e Curri luajtën si titullarë dje te Vorskla, e cila u mposht 3-2 në shtëpi nga Illitçivets. Kjo ndeshje i takonte javës së 22-të të kampionatit ukrainas. Dallku dhe Curri luajtën tërë ndeshjen. Ndërsa sulmuesi Januzi hyri në lojë në fund të pjesës së parë dhe u ndëshkua me karton të verdhë (52’).