E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bariç: Të premten, bisedime të vështira me Dukën

Nga Bledar Kuka
Një "dhelpër" e vjetër si Oto Baric di si të luajë në bisedime, ndonëse edhe punëdhënësi i tij, Armand Duka, nuk bie poshtë. Në një intervistë për "Vecernji Listin", trajneri i përfaqësueses shqiptare zbuloi se këtë javë do të jetë sërish në Tiranë me qëllim zhvillimin e bisedimeve me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, për kontratën e re. "Në ndeshjen me bullgarët në stadium pati një parullë 15 metra të gjatë "Oto-Shqipëria". Edhe gazetarët, edhe tifozët, edhe krerët e Federatës duan të më mbajnë. Ky është presion i madh dhe e di se të premten e ardhshme më presin bisedime të vështira". Në të vërtetë, Baric, i është ofruar vetë FSHF-së, në mënyrë publike dhe të përsëritur për të biseduar lidhur me kontratën e re. Edhe para, edhe pas ndeshjeve ndaj Sllovenisë e Bullgarisë, "Herr Oto" kërkoi me ngulm që presidenti Duka t'i ofronte zgjatje të bashkëpunimit, duke deklaruar se ai e meritonte të mbetej trajner i Shqipërisë, si dhe do të donte të ishte i qartë për qëndrimin shqiptar. "Kam edhe oferta të tjera dhe dua të di se cfarë do të bëjë FSHF-ja", - u shpreh kroati 75-vjecar. Më së fundi, sipas burimeve pranë, tij, pas ndeshjes me bullgarët, Baric shpalli një ultimatum me afat periudhën para ndeshjes me Bjellorusinë (17 nëntor). Kjo bëri jo pak efekt, duke pasur parasysh se të shtunën e shkuar, presidenti Duka pohoi se do të bisedonte me të para ndeshjeve me Bjellorusinë e Rumaninë dhe shtoi se dëshironte ta mbante në krye të kombëtares, megjithë moshën e shtyrë. "Do të vendosim ta lemë topin në fushën e trajnerit dhe t'i themi penalltinë gjuaje ti, - u shpreh presidenti për "News24", - Kjo do të thotë se do t'i ofrojmë zgjatjen e kontratës aktuale dhe kjo do të bëhet para ndeshjeve ndaj Bjellorusisë e Rumanisë … Natyrisht mosha ka rëndësinë e saj për një trajner, por unë mendoj që ta shfrytëzojmë këtë në aspektin pozitiv". Sakaq, i palodhuri "Oto Maksimale" ka nxituar dje për në Vjenë për të ndjekur derbin e kampionatit austriak, Rapid i Vjenës-Austria e Vjenës (2-2) dhe u ftua, më pas, në një emison televiziv për të diskutuar lidhur me këtë ndeshje. FSHF, vec 70% bashkëpunim Veterani i stolit nuk i ka kursyer kritikat për FSHF-në. "Në Shqipëri jo të gjitha gjërat kanë ecur vaj, - u shpreh ai, - nëse do të kisha pasur 30 për qind më shumë mbështetje logjistike nga Federata, do të kishin kaluar më mirë bashkë". Baric siguroi se nuk ka nënshkruar kontratë me Dinamon e Zagrebit, ndonëse ka një marrëveshje gojore me klubin e tij të zemrës, për të qenë shef i sektorit të talenteve. Ai bën një pohim të rëndësishëm se "te Dinamo do të fitoja më pak se te Shqipëria, ndonëse në moshën time paratë nuk kanë ndonjë vlerë të madhe". Po ashtu, Baric zbulon se nuk ka asnjë interes tashmë që të jetë trajner i Austrisë (para disa javësh ishte shprehur për të kundërtën). "Di që shoqata e gazetarëve e bëri këtë propozim, - tha ai, - por unë nuk kam më ambicie në këtë drejtim. I uroj gjithë të mirat trajnerit Hikersberger, që është miku im".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›