E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo e Zagrebit: Duam Currin, Dallkun, Hykën

Bledar KUKA
TIRANË – Debatik Curri dhe Armend Dallku janë fare pranë Dinamos së Zagrebit. Me ndërmjetësinë e Oto Baricit, dy shqiptarët nga Kosova, janë bërë shënjestër kryesore e klubit më të rëndësishëm të Kroacisë. Po ashtu, interesim të madh, Dinamo ka edhe për Jahmir Hykën e Tiranës, gjithashtu pjesë e kombëtares shqiptare. Gazeta "Vecernji List" shkruante dje se dy bosët e Dinamos, Zoran e Zdravko Mamiq, u bindën për të marrë dyshen kuqezi pasi ndoqën me sytë e tyre takimin Shqipëri-Bullgari (1-1). "Arsyeja e udhëtimit tonë në Tiranë nuk ishte vetëm Jahmir Hyka, - tha dyshja e Dinamos, sipas "Vecernjit", - për më tepër, Hyka nuk luajti në atë ndeshje. Oto Baric na këshilloi Debatik Currin dhe Armend Dallkun, dy mbrojtës të klasit të lartë europian". Baric deklaroi për Mamiqët se "Curri dhe Dallku janë më të mirët që ofron Shqipëria (me përjashtim të Canës që është te Marseja), ndërsa drejtuesit zagrebas pranuan se "në ndeshjen e së mërkurës, Berbatovi dhe Martin Petrovi nuk arritën të triumfonin mbi dyshen shqiptare". "Vecernji" siguron se Curri dhe Dallku, thuajse me siguri, do të largohen nga Vorskla e Poltavës, ku luajnë në kampionatin ukrainas. "Kontratat e tyre përfundojnë këtë dimër, - pohon gazeta, - dhe është thuajse e sigurt se ata të dy do të largohen nga Poltava". "Të shtrenjtë për Dinamon" Por klubi zagrebas shqetësohet jo për cilësinë e lojtarëve ("material i shkëlqyer", shkruan gazeta), por për cmimin e tyre. Për momentin, Curri vlerësohetnë 1.75 milionë euro, ndërsa Dallku në 1.5 milionë. "Ndoshta, në këtë moment, ata janë tepër të shtrenjtë për Dinamon, - shkruhet, - dhe të dy janë në shënjestër të klubeve të mëdhenj europianë". Sidoqoftë, "Vecernji" siguron se në mos të dy, të paktën njëri mes Currit dhe Dallkut do të shkojë në "Maksimir" dhe arsyeja që Mamiqët duan të forcojnë mbrojtjen është transferimi i afërt i njërit prej lojtarëve më të mirë të tyre në këtë repart, Dine Drpiq. Përsa i përket Jahmir Hykës, burime pranë lojtarit kanë pohuar se për futbollistin janë të interesuar edhe klube nga Italia e Rusia dhe Dinamo e Zagrebit është vetëm një nga mundësitë e transferimit. Herr Oto: Hykën e dua te Dinamo Gazetat kroate janë të informuara se shumë po flitet për Jahmir Hykën. Pyetja që i bëhet Baricit është nëse "i riu Hyka do të vijë te Dinamo?". "Dëshira ime është që ai të vijë, - përgjigjet trajneri i shqiptarëve, - edhe ai dëshiron, por duhet pyetur klubi i tij, Tirana, dhe menaxheri i tij. Presim, sidoqoftë, që Modriq, të shkojë në një klub tjetër, ndoshta te Interi i Milanos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›