E Diel, 1 Nëntor 2026

Bariç: "Zhgënjim, por mos prisni më shumë"

 

Jetmir Halilaj

Oto Bariç, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare e cilëson zhgënjyes barazimin me Maltën, por nuk e dramatizon. Sipas tij, Ari Han nuk ka pasur kohë të ndërtojë një skuadër me bosht dhe nuk duhet të fajësohet vetëm ai. Tekniku kroat në një intervistë ekskluzive për "Panorama", ka thënë se shqiptarët nuk duhet të nxitohen në objektivat e tyre.
Mister a e dini si përfundoi dje ndeshja Maltë Shqipëri?
Po e di, 0-0. Ndeshjen nuk e kam parë, por kam dëgjuar që ishte një ndeshje e dobët. Më vjen keq për këtë.
A është ky një dështim për Shqipërinë?
Ju duhet ta kishit fituar këtë ndeshje, por Malta nuk ishte shumë më keq se Shqipëria dhe e meritoi pikën. Gjithsesi ishte një rezultat zhgënjyes.
Në kohën tuaj Shqipëria mori 6 pikë të plota ndaj Luksemburgut....
Shqipëria ka shansin për të marrë pikë të tjera. Ka edhe disa ndeshje për të zhvilluar. Mos u demoralizoni. Megjithatë, këto janë ndeshje që peshojnë shumë.
Pas kësaj ndeshjeje, a mund të quhet i dështuar edicioni i kuqezinjve, duke qenë se më pas do të ndeshen me Danimarkën, Portugalinë dhe Suedinë?
Nuk është dështim total. Që në fillim ishte e qartë që Shqipëria kishte të bënte me një grup mjaft të vështirë dhe nuk mund të mendohej, se para nisjes së këtyre eliminatoreve vendi i tretë ishte i sigurt për ju. Ndërsa në këto momente, me sa di unë ju jeni në vendin e tretë. Duhet të tregoheni pak më shumë optimistë.
Nëse ju do të kishit dështuar në një ndeshje të tillë, a do ta mendonit dorëheqjen?
Jo, asnjëherë jo. Pse duhet ta bëja një gjë të tillë? Kur nuk ke kohë të ndërtosh një skuadër nuk ke edhe pse të tërhiqesh. Kush thotë që Shqipëria do të dalë në Botëror gabohet. Ju jeni në një grup ferri dhe pavarësisht barazimit me Maltën që në fakt nuk është një gjë e mirë, keni mundësi të bëni akoma më mirë.
Shqipëria pas pesë ndeshjesh (dy prej tyre me Maltën), ka vetëm gjashtë pikë. A jemi në rrugën e duhur?
Rezultatet për mua janë në rregull, përveç ndeshjes së fundit. Shqipëria ka bërë ndeshje mjaft të mira duke marrë barazimin edhe në Portugali dhe duke barazuar me Suedinë brenda. Kjo nuk mund të quhet një zhgënjim.
Ari Han nuk ka grumbulluar as Kapllanin dhe as Hykën, ç'mendim keni për këtë?
Nuk e di se sa luan Hyka të Mainci te Mainci, por nëse nuk luan farë, atëherë Hani nuk ka faj. Me sa di unë, edhe Kapllani nuk aktivizohet. Merreni më shtruar dhe besoni në objektiva realë. Mos prisni gjëra që skuadra juaj nuk i arrin dot, sepse duhet të shihni edhe mundësitë që keni. Megjithatë, unë i uroj Kombëtares shqiptare shumë suksese në këto eliminatore.

Presidenti i FSHF-së Duka konfirmon Ari Hanin
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shprehur keqardhje për barazimin ndaj Maltës dhe lojën e dobët të skuadrës, por ka konfirmuar se trajneri Ari Han do të vazhdojë të jetë në krye të pankinës kuqezi edhe në të ardhmen. "Padyshim që ishte një zhgënjim, por në futboll ndodhin këto gjëra. Ne na ndodhi ndaj Maltës, në një ndeshje shumë të rëndësishme dhe kjo ishte fatkeqësi. Nuk ishte vetëm faji i Hanit në këtë ndeshje. Sigurisht që të gjithë janë të predispozuar të sulmojnë trajnerin në të tilla situata, por nuk ishte vetëm faji i trajnerit, sepse edhe lojtarët luajtën shumë keq. Megjithatë, nuk mendoj se Ari Han është në dyshim për të ardhmen", ka thënë Duka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›