Ervin Kuman: Faleminderit Malta
Ervin Kuman, trajneri i Hungarisë, ka pohuar për mediat se barazimi pa gola i Shqipërisë në ndeshjen e së mërkurës e kishte befasuar. Megjithatë, ai nuk e ka fshehur kënaqësinë që kuqezinjtë nuk morën dot më shumë se një pikë. Shqipëria konsiderohet si rivalja kryesore e Hungarezve për vendin e katërt në grupin 1. "Padyshim që barazimi i Shqipërisë në Maltë ishte një rezultat që nuk e prisja - ka pohuar Kuman për 'Magyar Hirlap' - E dija që Malta është një kundërshtar i vështirë në fushën e saj, por nuk e mendoja se do ta ndalë Shqipërinë. Padyshim që ky është një rezultat që na favorizon dhe kjo duhet të na nxisë më shumë për të marrë fitoren në ndeshjen e radhës në Shqipëri". Tekniku holandez i hungarezëve ka folur edhe për gjendjen e skuadrës së tij, duke thënë se ekipi ka bërë shumë përmirësime. Ndërkaq, edhe sulmuesi i hungarezëve, Torgele, ka qenë në një linjë me trajnerin e tij, duke thënë se ndaj Shqipërisë, do të luajnë vetëm për të fituar. Shqipëria do të ndeshet me Hungarinë më 28 mars. Ky takim do të jetë treni i fundit i kuqezinjve për të shpresuar vendin e katërt në Grupin 1. Në ndeshjen e parë të luajtur në Budapest, Hungaria fitoi ndaj përfaqësueses tonë me rezultatin 2-0.