E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bariç, e ardhmja në udhëkryq mes Austrisë dhe Kroacisë

Pushimet e Oto Bariç duken të destinuara të zgjasin shumë pak. Menjëherë sapo është larguar nga stoli i kombëtares shqiptare, për trajnerin kroat ka filluar interesimi. Në Kroaci, kampionët e Dinamos së Zagrebit i kanë ofruar punë si koordinator, ku 75-vjeçari do evidentojë talentet e reja. Në orët e fundit, interes për ish-trajnerin kuqezi ka treguar edhe Pashing në Bundesligën austriake. Kur mungojnë edhe pak ndeshje nga përfundimi i fazës së dytë të kampionatit, skuadra e njohur ndryshe me emrin SK Austria Kelag Karnten, renditet në vendin e fundit me vetëm 17 pikë të grumbulluara në 21 takime të luajtura. Emri i kroatit përflitet pasi drejtuesit e klubit besojnë se me eksperiencën e tij, Bariç mund të ndihmojë klubin të mbijetojë në kategorinë elitare. Sipas "Karntener Tageszeitung", mundësia për të afruar "Oto Maksimal" është më shumë sesa thjesht një zë që qarkullon. Vetë trajneri është shprehur se puna me Pashing dhe detyra për të mbajtur skuadrën në Bundesligë "është mjaft interesante". "Kanë ndërtuar një stadium të ri dhe klubi interesohet shumë për futbollin dhe kjo është diçka joshëse". Vetë Bariç nuk e ka fshehur dëshirën për t‘u rikthyer në Austri si trajner, por më parë ai ka vendosur një kusht: "Nëse një klub i mirë dhe me vizione të qarta më kontakton, atëherë gjithçka mund të ndodhë, edhe mund të kthehem për të punuar aty si trajner. Megjithatë, në Austri ekzistojnë vetëm tri apo katër klube të tilla". Në mbrëmjen e 21 nëntorit, pas humbjes 6-1 me Rumaninë, 75-vjeçari kishte paraqitur dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i kombëtares shqiptare, ndërkohë që pak ditë më parë ka hapur polemikën, duke deklaruar për mediat kroate se para se të pranonte punën në Shqipëri, kishte informata se vite më parë disa lojtarë ndikonin në rezultatet e ndeshjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›