Cana sfidon Xherard: Do fitojmë ne
Të shtunën ka shënuar golin e dytë në fitoren 2-0 që Olimpik Marseja arriti me Monakon. Në harkun e pak orëve, Lorik Cana ka "harruar" rrjetën në kampionat dhe tashmë është fokusuar te sfida në Ligën e Kampioneve, përballë Liverpulit në "Velodrom". 90 minutëshi i së martës do të vendosë fatin e të dyja skuadrave: francezëve do t‘u nevojitej vetëm një barazim (i kombinuar me fitoren e Portos me Beshiktashin) për të vazhduar aventurën evropiane, ndërkohë që të besuarit e Rafa Benitez luajnë vetëm për të fituar. Në këtë takim spikat edhe sfida brenda sfidës, ku Cana (kapiteni i Marsejës) do të luajë përballë Xherard (kapitenit të Liverpulit). "Xherard është një nga lojtarët më të mirë në botë në rolin e tij. Të martën do të luajë në zonën time dhe ndihem shumë i stimuluar, pasi ai (dhe Liverpuli) do të kërkojnë të marrin revanshin për fitoren tonë në Angli", ka deklaruar mesfushori kuqezi. "Mendoj se dueli ynë do të jetë shumë interesant, por nuk do vendoset në qendër të vëmendjes, pasi në këtë ndeshje të dyja skuadrat do të luajnë për të fituar. Ka shumë ndryshim në kualitetin e skuadrave dhe Liverpuli është më superior. Megjithatë, ne nuk trembemi, pasi e dimë se në fushën tonë, me mbështetjen e tifozëve mund të fitojmë çdo përballje me cilindo kundërshtar".
Pas takimit të fundjavës që sapo kaloi, shqiptari ka pasur probleme me kaviljen, ku pranon se i është krijuar një hematomë mjaft e madhe. "Enjtja është e konsiderueshme, por kam kohë për të rikuperuar, pasi nuk është ndonjë dëmtim i rëndë. Të martën do të jem në fushë". Vetëm diçka e papritur në momentin e fundit mund ta privojë Canën nga përballja me nënkampionët e Evropës. Megjithatë, motivimet janë të mëdha: "Prej shumë kohësh Marseja nuk ka arritur të kalojë fazën e grupeve. Kësaj radhe kemi shansin më të mirë për ta bërë dhe besojmë se fatin e aventurës në trofeun më të rëndësishëm e kemi vetë në dorë. E gjithë Franca do të na mbështesë dhe do provojmë të japim imazhin e mirë të futbollit marsejez, ka vazhduar 24-vjeçari. Edhe pse mendoj se ka shumë diferencë mes dy skuadrave, ne jemi të aftë të fitojmë, duke bërë një paraqitje të mirë. Jemi në shtëpinë tonë, kemi mbështetjen e tifozerisë dhe na duhet të punojmë që të kualifikohemi. Personalisht ndihem shumë mirë nga ana fizike dhe kjo duket". Në përfundim, mesfushori ka thënë edhe dy fjalë rreth golit të shënuar: "Nuk është hera e parë që gjej golin nga goditjet standarde. Megjithatë, kur shënoj, është gjithmonë një kënaqësi e veçantë, pasi jam një lojtar më tepër difensiv, që provoj të mbyll hapësirat e lëna nga shokët e skuadrës".