Kur futbolli paguan hipokrizinë e trajnerëve
Trajnerët tanë jetojnë momente paradoksale me ndihmën e presidentëve të tyre. Starova është një nga ata që ka provuar shijet ekstreme. Kur ka qenë trajner i Tiranës është larguar për paaftësi, edhe pse ekipin e shpalli kampion. Kurse këto ditë, duket edhe më i qetë, edhe pse e nis punën me Besën me një humbje të "paparashikuar". Si zakonisht, trajneri pasi mbaron lavdet për kundërshtarin, zbulon se thembra e Akilit për humbjen ka qenë mungesa e një sulmuesi… Elokan. Por, Besa ka tri humbje me radhë dhe trajneri i sapoardhur duhet të dijë se ku ka firmosur dhe në çfarë momenti! Por, futbolli shqiptar nuk është mësuar të edukojë kujtesën, prandaj ndodhin çudira që mungesën e sensit të rezultateve, disa lodhen ta shpjegojnë me teorinë se sot nuk e merr vesh nga të vjen. Një gjë është e sigurt, se trajnerët janë nënshtruar edhe më shumë. Ajo e famshmja "marrëveshje xhentëlmenësh" midis tyre dhe presidentit është një faturë që futbolli e paguan çdo javë. Njerëzit tanë të stolit xhirojnë pa frikë nga njëri stol në tjetrin, në kërkim të "këstit të parë" dhe ngushëllohen me frazën gënjeshtare se... këta janë presidentët tanë. E pse nuk do të shkonte po të thoshim se këta janë edhe trajnerët tanë. Që përgatisin edhe humbje kur për shefat e tyre janë fitore. Për fat të mirë, këto ditë veshët kanë dëgjuar edhe një zë të njohur, atë të plakut Oto Bariç. Nga mijëra kilometra larg flet më me kurajo: "Sa mirë që jam larguar nga Shqipëria. Atje nuk vendosja unë...". Duket sikur është trajner i racës sonë, që thotë pak të vërteta vetëm kur është i papunë. Por Bariç, sipas logjikës së trajnerëve tanë, nuk duhet të flasë shumë, sepse në fund të fundit i mori të gjitha këstet... Që trajnerët nuk janë të rëndësishëm, ky nuk është një zbulim për futbollin tonë. Edhe ideja e fundit, se presidenti Duka mund të caktojë një trajner shqiptar, që edhe mund të quhet Artan Bushati, zbulon se njeriu i stolit është alibia. Sepse, shefat e vërtetë të lojës janë me uniformë tjetër. Topi i tyre është i shfryrë, por ata kujtojnë se ne e shohim me sytë e tyre.