Bariç i sjell kënaqësi të dyfishtë Shqipërisë

Trajneri Oto Baric, i cili më 21 qershor mbush 75 vjec, ia doli të përmbushte objektivat e tij për gjashtë pikë në dy ndeshjet me kundërshtarin e radhës, për të kryer të qeta pushimet përpara se Shqipëria të përgatitet për ndeshjen miqësore të 22 gushtit (kundërshtari është ende alternativ midis pesë kandidatëve, përflitet Malta si më e mundshme) dhe më pas me Holandën e madhe, më 12 shtator.
Me tetë pikë në katër ndeshjet e fundit: 2 fitore dhe 2 barazime, Kombëtarja kuqezi ndodhet në mesin e artë mes shtatë ekipeve që formojnë Grupin G, një objektiv përkohësisht i realizuar nga trajneri më i moshuar në botë po të kemi parasysh se tre vendet e para mbahen nga ekipe të mëdha si Rumania, Bullgaria e Holanda.
Shqipëria arriti të mërkurën në mbrëmje në Luksemburg fitoren e dytë rresht me Luksemburgun (3-0) pas asaj të pesë ditëve më parë në Tiranë (2-0), e cila përkoi të ishte dhe e treta historike e saj në ndeshjet në transfertë në ndeshjet zyrtare të vlefshme për eliminatoret e kampionateve botërorë dhe europianë. Një fitore mbresëlënëse në ndeshjen e saj të 70-të në kampionatet europiane, më e thella e arritur në ndeshjet zyrtare në transfertë.
Siti zyrtar i UEFA-s, qeverisë së futbollit europian, e konsideroi fitoren e Shqipërisë me Luksemburgun si "Double delight for Albania" (Kënaqësi e dyfishtë për Shqipërinë). "Shqipëria u ngjit në vendin e katërt në Grupin G kualifikues të UEFA EURO 2008, pas arritjes së fitores së dytë kundër Luksemburgut në hapësirën e pesë ditëve", - shkruan uefa.com. "Edmond Kapllani i shtoi golit të tij në fitoren 2-0 në Tiranë të shtunën e kaluar edhe dy të tjerë në "Josy Barthel", pasi Ervin Skela celi goleadën për ekipin e Oto Baric", - shkruan gazetari i organizmit më të lartë të futbollit kontinental. "Kompletohet kështu një javë kënaqësie maksimale për shqiptarët, të cilët janë tani me dy pikë më shumë se Bjellorusia, por megjithatë ata ndodhen me gjashtë pikë më pak se Bullgaria e vendit të dytë", evidentohet në uefa.com.
Edhe siti i mirënjohur britanik sportinglife.com i kishte kushtuar vëmendje të madhe fitores së Shqipërisë, të cilën e konsideron si një triumf të vërtetë, pavarësisht se u arrit ndaj një kundërshtari modest. "Tri pikët e marra e ngjitën Shqipërinë sipër Bjellorusisë me një 9-pikësh të besueshëm, pesë pikë pas Holandës së vendit të tretë", shkruan siti anglez.
Ndeshja e ardhshme e Shqipërisë është pikërisht me Holandën, më 12 shtator në Tiranë. Në takimin e parë në Amsterdam, Kombëtarja jonë humbi me rezultatin e ngushtë 2-1, ku Debatik Curri shënoi një gol të mrekullueshëm dhe Armend Dallku goditi shtyllën horizontale të portës së Edvin Van Der Sarit.
Ndeshjet e Shqipërisë
Bjellorusi-Shqipëri 2-2
Shqipëri-Rumani 0-2
Holandë-Shqipëri 2-1
Shqipëri-Slloveni 0-0
Bullgari-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Luksemburg 2-0
Luksemburg-Shqipëri 0-3
Bilanci: 7 ndeshje: 2 fitore, 3 barazime, 2 humbje. Golat: 8-6
Renditja
Rumania 17
Holanda 14
Bullgaria 15
Shqipëria 9
Bjellorusia 7
Sllovenia 4
Luksemburgu 0