E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bariç, koha për të marrë vendimin e duhur

Albania-sport - Humbja e Shqipërisë me Maqedoninë (0-1) në miqësoren e 7 shkurtit, duhet të ketë lënë pa gjumë (në Hotel "Rogner") një nga trajnerët më të shquar të botës, kroatin 75-vjecar Oto Baric. Pas 30 vjetësh pas marrjes së diplomës "Pro" në Vienë dhe Zagreb, dhe drejtimit me sukses të Austrisë dhe Kroacisë, Baric, pasaardhësi i gjermanit jo fort të "ditur" në punët e trajnimit, Hans Peter Brigel i vetmuar në dhomën 212 ka reflektuar gjatë për të kuptuar thelbin e funksionimit të ingranazhit shqiptar që ndodhet midis futbollit të pastër dhe biznesit të pistë.
Trajneri i tretë i huaj i Shqipërisë së pesë viteve të fundit, duket se pas tri ndeshjesh zyrtare dhe dy miqësore, kuptoi atë që 15 trajnerë shqiptarë të gjysmëshekullit të dytë të kaluar e mësuan shumë shpejt, kur nuk ishin kurrsesi të zotët e mallit "Kombëtare".
Në konferencën e tij për shtyp të organizuar në Hotel Adriatik, Oto Baric i vetëdijshëm për zgjedhjet e tij, deklaroi zyrtarisht para mediave 11 të besuarit e tij të minutës së parë. Shtypi sportiv bëri aludime për presione ndaj kroatit, ndërkohë që humbja me fqinjët tanë ishte sinjali i vërtetë se Oto Baric, përvec stërvitjes me lojtarët dhe qëndrimit në pankinë si trajner, nuk bën gjë tjetër vecse "menunë" e harxhimit të 300.000 eurove, nëse dhe ato do të arrijë t'i marrë pas një humbje (të padëshiruar) me Slloveninë.
Oto "Maksimal" është i vetëdijshëm se ndërtimi i Kombëtares së fundit në drejtimin e tij, ka nevojë për një rinovim që nis me largimin e "kuartetit të klaneve", atyre që pretendojnë se janë ata që vendosin në përzgjedhjen e lojtarëve bazë, ashtu si dikur kanë vepruar me Neptun Bajkon, Bejkush Bircen, Astrit Hafizin, Medin Zhegën apo Sulejman Demollarin...
Gjenerata e re është në pritje..., por në pritje është dhe opinioni futbolldashës....

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›