E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mavraj, “rasti” për të bërë para me talentin

Albania-sport - Rasti Mërgim Mavraj është vërtet për të ardhur keq. Nga një talent i vlerësuar me nota maksimale nga ndihmësi i ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare Hans Peter Brigelit, Aksel Ros, në një lojtar krejtësisht të harruar nga Federata Shqiptare dhe nga dyshja (apo treshja) që udhëheq aktualisht formacionin kuqezi: Baric-Kovacic.
Mërgim Mavraj, në median gjermane vlerësohet si një nga futbollistët e rinj, që mund të kontribuojë jo pak në të ardhurat financiare të klubit të Kategorisë së Tretë gjermane, SV Darmstadt 98. Dhe këtë e deklaron vetë manaxheri sportiv i SV Darmstadt 98, Tom Eilers në faqen e echo-online.de. SV Darmstadt 98 përfundoi fazën përgatitore në Majorka të Spanjës. Tradita e klubit të SV Darmstadt 98 është rritja e talenteve që premtojnë në tregjet e niveleve profesioniste të kampionateve gjermane, dhe Mavraj shihet si një i tillë, pasi ana financiare konsiderohet si më e rëndësishmja për SV Darmstadt 98, dhe jo renditjet në klasifikim. "E rëndësishme për ne, është që të rrisim lojtarë të talentuar, si për shëmbull Ivo Ilicevic. Ne duhet të punojmë shumë me të. Me Mergim Mavraj themi se kemi arritur të maturojmë një tjetër lojtar që mund të ndihmojë klubin. Ai është shumë i fuqishëm në kontrollin e topit sidomos në ofensivën e kundërshtarit", citohet Eilers nga siti gjerman, që shton se SV Darmstadt 98 duhet të ruajë vazhdimisinë, teksa bën publikë dhe objektivin për fazën e dytë, 20 deri 22 pikë në 14 ndeshje. Një objektiv që nëse do të realizohej do të thoshte jo rrëzim një kategori më poshtë.
Humbja e Kombëtares shqiptare me Maqedoninë (0-1, në "Loro Borici") dhe sidomos defektet e pashërueshme në mbrojtje (mungesa lojtarëve tipikë, mosgjetja e alternativës post-Hasi), të bën të mendosh se pajisja urgjente e 21-vjecarit Mërgim Mavraj (190 cm, 82 kg) me pasaportë shqiptare dhe harresa e tij e menjëhershme (sikur Mavraj nuk ka ekzistuar kurrë në asnjë dosje të Sektorit të Ekipeve Kombëtare pranë FSHF-së), dhe për më tepër akuzat e djaloshit Mavraj, të bëjnë të mendosh thellë se lojtari i ri (që mund të luajë edhe si mbrojtës i majtë) nuk ka vlerë vetëm 150.000 euro në transfertmarkt.de...

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›